Tri kompani transporti nga Fushë Kosova kanë njoftuar se, për shkak të vështirësive të mëdha financiare dhe rritjes së shpenzimeve operative, nga 19 gushti 2026 do të pezullojnë përkohësisht shërbimin e transportit në katër linja drejt Prishtinës.
Bëhet fjalë për linjat: Grabovc – Prishtinë – Grabovc, Harilaq – Prishtinë – Harilaq, Hencë – Prishtinë – Hencë, Miradi e Epërme – Prishtinë – Miradi e Epërme.
Në njoftimin e përbashkët, kompanitë theksuan se vendimi është marrë për shkak të pamundësisë për të përballuar shpenzimet e karburantit dhe kostot e tjera operative. Ato kanë theksuar se banorët e këtyre lokaliteteve, në komunën e Fushë Kosovës, varen çdo ditë nga këto linja për të udhëtuar drejt Prishtinës dhe anasjelltas.
Kompanitë kanë bërë të ditur se para marrjes së vendimit u janë drejtuar institucioneve kompetente për të kërkuar një zgjidhje për vazhdimin e shërbimit. Ato shpresojnë që kërkesa të merret seriozisht dhe të gjendet sa më shpejt një zgjidhje, në mënyrë që transporti të rikthehet në funksion.




















