Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka njoftuar se do të shpallë një kandidat të ri për të shërbyer si administrator i NASA-s, duke lënë jashtë kandidaturën e Jared Isaacman.
Në një njoftim të Shtëpisë së Bardhë, nuk u shpjegua arsyeja pse Jared Isaacman, i cili ishte propozuar fillimisht për këtë pozicion, nuk është më në garë. Reuters raporton se kjo lëvizje ndodh disa ditë para se Senati të votojë për nominimin e Isaacman për të udhëhequr NASA-n.
Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Liz Huston, tha se roli i administratorit të NASA-s është jetik për të realizuar misionet ambicioze të presidentit Trump, përfshirë “çuarjen e njerëzimit në hapësirë dhe vendosjen e flamurit amerikan në planetin Mars”.
“Administratori i NASA-s do të ndihmojë të çojë njerëzimin në hapësirë dhe të ekzekutojë misionin e guximshëm të presidentit Trump për vendosjen e flamurit amerikan në planetin Mars”, tha Huston.
Ajo gjithashtu theksoi se është thelbësore që lideri i ardhshëm i NASA-s të jetë në përputhje të plotë me agjendën e presidentit Trump “America First”, dhe se zëvendësimi i Isaacman do të shpallet drejtpërdrejt nga presidenti Trump së shpejti.
Isaacman, një sipërmarrës që ka udhëhequr misione private në hapësirë dhe ka lidhje të ngushta me CEO-në e SpaceX, Elon Musk, ka shkaktuar reagime të shumta që kur u emërua fillimisht nga Trump në dhjetor për të udhëhequr NASA-n.