Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka numëruar rreth 80 për qind të votave të kandidatëve për deputetë të mërkurën, e sipas të dhënave, nga ky numërim, në përbërjen e re të Kuvendit nga partitë shqiptare do të sigurojnë ulëse vetëm 6 kandidatë për herë të parë. Pjesa tjetër janë deputetë të legjislaturës së fundit apo të legjislaturave të mëhershme.
Bazuar në rezultatet preliminare, LVV-ja do të ketë 48 deputetë, PDK-ja 24, LDK-ja 20 dhe AAK-ja 8.
E nga numërimi i deritashëm i votave për kandidatë, për herë të parë deputetë nga Vetëvendosje do të jenë: Osman Musliu, Arton Konushevci, Armend Baloku, Krenare Çerkini dhe Valon Peci. I gjashti është nga PDK-ja, Adriatik Berisha.
Në Kuvend pritet të kthehen edhe disa ish-deputetë, që të paktën në legjislaturën e fundit nuk siguruan ulëse.
Nga PDK-ja këtë pritet ta bëjnë Kosovare Murseli, Jakup Nura, Altin Krasniqi, Fadil Demaku, Bekim Haxhiu dhe Hajdar Beqa.
E përmes LDK-së në ulëse të legjislativit do të kthehet ish-presidentja Vjosa Osmani, që ishte bartëse e listës së kësaj partie në zgjedhjet e 7 qershorit. Përveç saj, në Kuvend pritet të kthehen edhe Arben Gashi, Shkëmb Manaj e Paris Guri.
Sipas të dhënave aktuale, nga AAK-ja priten të kthehen Ardian Gjini e Agim Çeku. Por, Gjini ka deklaruar se nuk do të jetë pjesë e Kuvendit dhe se do të lëshojë vend për kolegët e tij.
Nga katër partitë kryesore, 31 kandidate kanë siguruar ulëse pa ndihmën e kuotës gjinore. Nga to, 17 gra janë nga LVV-ja, 6 nga PDK-ja, 7 nga LDK-ja dhe 1 nga AAK-ja.
Kandidati më i votuar është Albin Kurti me mbi 180 mijë vota, i dyti Glauk Konjufca me mbi 140 mijë dhe i treti, Bedri Hamza me mbi 90 mijë.
Nga numërimi i mbi 80 për qind të votave, del se lideri i LVV-së Kurti siguroi 82 për qind të votave të përgjithshme të partisë, ai i AAK-së Ardian Gjini 81 për qind, i PDK-së Bedri Hamza 80 për qind, ndërsa bartësja e listës së LDK-së Vjosa Osmani mori 68 për qind të votave të partisë, kurse vetë lideri i LDK-së Lumir Abdixhiku 61 për qind.
KQZ-ja ende nuk ka filluar me numërimin e votave të diasporës, të cilat janë në proces të verifikimit.



















