Pas një jave, industria automobilistike dhe Bashkimi Evropian do të ulen për një nga takimet më të rëndësishme, madje fatale, mund të themi. Tema do të jetë vetëm një – lehtësimi i masave të BE-së që nga viti 2035 do të lejohet të shiten vetëm makina me zero emisione të gazrave ndotës.

“Arritja e objektivave strikte për CO2 për veturat dhe automjetet e lehta komerciale në vitet 2030 dhe 2035 në botën e sotme thjesht nuk është më e realizueshme”, thotë Ola Källenius, drejtori i Mercedesit dhe i asociacionit të industrisë automobilistike ACEA.

Kryetarja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen do të takohet me ACEA-n, asociacionin evropian të prodhuesve të automjeteve, më 12 shtator.

Ideja e ACEA-s është që makinat elektrike të jenë opsioni kryesor, por duhet të ketë vend edhe për hibride plug-in, hibride, automjete elektrike me motorë shtesë (range extender), motorë me djegie të brendshme me efikasitet të lartë, hidrogjen dhe karburante të dekarbonizuara.

ACEA ka një argument të fortë. Agjencia statistikore holandeze CBS publikoi të dhëna të reja. Sasia e grimcave të oksideve të azotit është zvogëluar ndjeshëm. CBS krahasoi të dhënat aktuale me vitin 2005, që është edhe vlera referuese e BE-së për krahasimin e emetimeve.

Në atë vit, sektori i transportit në Holandë emetoi 205 milionë kilogramë grimca NOx. Pas matjes më të fundit, vlera është 78.5 milionë, një rënie serioze. Oksidet e azotit janë gazra që lindin nga djegia e karburantit në automjete, kryesisht në veturat me naftë.

Shumë prodhues evropianë, nga Volkswagen, Mercedes, Volvo deri tek Opel, po ndryshojnë planet me prezantimin e automjeteve. Shitjet më të dobëta të makinave elektrike i kanë detyruar të zgjatin prodhimin e makinave me motorë me djegie të brendshme.

Related Posts