Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon, ka thënë se po përcjell me shqetësim atë që ajo e quan kampanjën denigruese kundër gazetarëve në Kosovë.
Reagimi i Von Cramon vjen pas sulmit ndaj mediave nga bashkëshorti i presidentes Vjosa Osmani, Prindon Sadriu.
“Media e lirë është njëra nga shtyllat themelore të demokracisë dhe gazetarët duhet të kenë lirinë e tyre për t’u shprehur pa ndonjë frikë. Për këtë jam duke monitoruar nga afër kampanjën denigruese të organizuar kundër gazetarëve në Kosovë për të kuptuar plotësisht ngjarjet e fundit”, ka shkruar ndër tjera Cramon.
Mbrëmë, Prindon Sadriu, në rrjetet sociale ka shkruar: “Kur përfaqësuesit e Ndërmarrjeve të Përbashkëta kriminale, ‘gazetarët’ e parapolitikës, e persona të përfshirë në reket e në keqpërdorime milionëshe, moralizojnë. Janë këta moralizues e shpifës të cilët paguanin një natë akomodim me Nju Jork $1,200 në Hotel Interconntinental Manhattan, e mëngjesin e paguanin $50 për person (drekat e darkat iu shkonin deri ne mijëra dollarë)”.
Më vonë, ai e ka fshirë këtë postim.