Vlera e koeficientit të pagave për vitin 2023 do të jetë 105 euro.
Kështu tha kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë mbledhjes së Qeverisë më 1 shkurt.
Ai tha se kjo vlerë e koeficientit do të ndryshojë në vitin 2024, dhe nga janari i vitit tjetër do të jetë 110 euro.
Sipas Kurtit, çdo vit në bazë të mundësive buxhetore, ky koeficient do të lëvizë.
Ligji i ri i pagave në Kosovë do të hyjë në fuqi më 5 shkurt të këtij viti.
Pagat e punëtorëve në Kosovë llogariten duke e shumëzuar koeficientin e pagës së një pozite me vlerën monetare të koeficientit. Raporti i koeficienteve është nga një deri në 18.
Ministri i Financave, Pumës dhe Transfereve i Kosovës, Hekuran Murati, tha se paga mesatare bruto do të jetë 730 euro, që sipas tij do të rritet për rreth 100 euro.
Sipas Ligjit për buxhetin e vitit 2023, i miratuar po ashtu në dhjetor të vitit të kaluar, buxheti i përgjithshëm për paga në sektorin publik do të jetë 745 milionë euro.
Koeficientët
Sipas Ligjit të pagave në sektorin publik, koeficientin më të lartë e ka pozita e presidenit – 18 – që i bie që paga e presidentit është 1.890 euro.
Pas presidentit, renditet kryetari i Gjykatës Kushtetuese, me koeficient 17.5.
Koeficienti i kryetarit të Kuvendit dhe Kryeministrit është 17, ndërsa e deputetit dhe ministrit është 16.4.
Koeficientin 15 e ka komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, ndërsa 14.5 e kanë drejtori i Përgjithshëm i Policisë dhe ai i Doganës.
Prokurorët dhe gjyqtarët, varësisht nga niveli, i kanë koeficientët nga 12 deri në 14.5.
Drejtori i Administratës Tatimore të Kosovës e ka koeficientin 14.
Me koeficient të njejtë është edhe drejtori i SHSKUK-së, ndërsa mjeku specist e ka koeficientin 12, mjeku në specializim 8, mjeku i përgjithshem, stomatologu dhe farmacist e kanë koeficientin 7.4.
Ndërsa infermierët, varësisht nga niveli, e kanë koeficientin prej 5.1 deri në 5.6.
Mësimdhënësi në shkollë të mesme të lartë e ka koeficientin 5.8 që i bie që paga është 609 euro . Ndërsa mësimdhënësi në shkollë fillore dhe të mesme të ulët e ka koeficientin 5.6 që i bie 588 euro.
Polici e ka koeficientin 5, ndërsa polici i lartë 5.9.
Nëse një zyrtar publik para hyrjes në fuqi të këtij Ligji kishte pagë më të madhe se paga e re, i njëjti do të përfitojë pagën e re sipas dispozitave Ligjit të ri dhe shtesën tranzitore të barabartë me diferencën ndërmjet pagës aktuale dhe pagës së re bazë, thuhet në nenin 41.
Aty thuhet se gjatë vitit të parë, shtesa tranzitore do të jetë 100 për qind, kurse gjatë vitit të dytë ajo do të zbritet në 50 për qind.
“Përjashtim nga kjo dispozitë bëjnë anëtarët e shërbimit të jashtëm”, thuhet në këtë nen.
Ligji, i miratuar në dhjetor të vitit të kaluar, nuk e ka përfshirë vlerën e koeficientit, e cila përcakton një tavan deri ku mund të paguhet një punonjës i shtetit. Ai u përcaktua sot nga Qeveria e Kosovës.
Ligji për paga zbatohet për punonjësit e sektorit publik, pagat e të cilëve financohen nga buxheti i shtetit, me përjashtim të punëtorëve të Agjencisë Kosovare për Inteligjencë (AKI).
Numri i punonjësve që marrin paga nga buxheti i Kosovës është rreth 83 mijë.
Paga minimale në Kosovë aktualisht është 130 deri në 170 euro. Kjo vlerë, e pandryshuar qysh në vitin 2011, është më e ulëta në Evropë, sipas Agjencisë Evropiane të Statistikave, Eurostat.
Kosova me pagën më të ulët minimale në Evropë