Ish-drejtoresha e SHISH-it, Vlora Hyseni, do të paraqitet nesër para Gjykatës së Posaçme në Shqipëri, ku do të mbahet seanca për marrjen në pyetje të saj.
Seanca është caktuar të nisë në orën 12:00.
Hyseni është person nën hetim për veprat penale “përkrahja e autorit të krimit” dhe “zbulimi i akteve ose të dhënave sekrete”.
Ndaj saj është caktuar masa e sigurimit “arrest në shtëpi” dhe pezullimi nga ushtrimi i detyrës.
Para se të merrte drejtimin e SHISH-it në Shqipëri, Hyseni kishte ndërtuar karrierë në fushën e inteligjencës në Kosovë. Ajo ka punuar në Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë (AKI), fillimisht si drejtoreshë e Marrëdhënieve me Jashtë, ndërsa më pas u emërua zëvendësdrejtoreshë e Agjencisë.
Në vitin 2021, Hyseni u shkarkua nga pozita e zëvendësdrejtores së AKI-së.
Në vitin 2023, Hyseni u emërua në krye të SHISH-it, detyrë të cilën e mbajti deri në pezullimin e saj pas vendimit të Gjykatës së Posaçme.
Ndërkohë, po nesër, në orën 09:00, është caktuar seanca për marrjen në pyetje të Fatjon Kalluçit dhe Embro Sulejmanit, ndaj të cilëve është caktuar masa “arrest në burg”.
Lajmi për caktimin e seancave është raportuar nga mediat shqiptare, pas njoftimit të Gjykatës së Posaçme për procedimin penal ndaj tre personave.




















