Mbrëmjen e së enjtes, një ngjarje e rëndë kriminale është regjistruar në fshatin Gjashtë të Sarandës në Shqipëri, ku një konflikt i përshkallëzuar me armë zjarri i ka marrë jetën 66-vjeçarit Rexhep Ismaili, pronar i një karburanti në zonë dhe njëkohësisht kryetar i Shoqatës Çamëria në Sarandë.
Burime nga vendngjarja bëjnë me dije se Rexhep Ismaili ka qenë në tavolinë me disa persona të tjerë në momentin kur autori i dyshuar, Lulzim Tabaku, ka nxjerrë armën dhe e ka qëlluar me një plumb në kokë, duke i shkaktuar vdekjen në vend.
Pas të shtënave, personat që ndodheshin në tavolinë me viktimën dyshohet se janë kundërpërgjigjur me armë zjarri. Nga shkëmbimi i zjarrit dyshohet se ka mbetur i plagosur edhe një person tjetër, ende i paidentifikuar, i cili nuk është paraqitur për ndihmë mjekësore, raporton A2CNN.
Në reagimin zyrtar, policia konfirmoi se autori i dyshuar është identifikuar si Lulzim Tabaku, ndërsa janë ngritur pika kontrolli dhe po vijojnë kontrollet intensive në zonë për kapjen e tij.
Ndërkohë, grupi hetimor ka sekuestruar kamerat e sigurisë së biznesit dhe të zonës përreth, me qëllim zbardhjen e plotë të dinamikës së ngjarjes dhe identifikimin e të gjithë personave të përfshirë.




















