Zayn Malik ka anuluar 22 data të turneut të tij në SHBA dhe Mbretërinë e Bashkuar, pasi u shtrua në spital për shkak të një sëmundjeje misterioze. Ish-anëtari i One Direction, tashmë 33 vjeç, ka bërë të ditur se është kthyer në shtëpi dhe po shërohet mirë pas trajtimit të marrë muajin e kaluar.
Në një përditësim të dhënë të premten, Zayn tha se gjendja e tij është përmirësuar dhe se po ndihet më mirë. Ai u shpreh optimist për rikuperimin e plotë, duke theksuar: “Kam qenë në shtëpi duke u rikuperuar dhe po shkoj mirë, do të jem më mirë dhe më i fortë se më parë”.
Këngëtari ka njoftuar gjithashtu se do të rishikojë axhendën e tij për muajt në vijim dhe do të zvogëlojë numrin e shfaqjeve në turneun KONNAKOL, me qëllim që të sigurojë performancë të qëndrueshme dhe të takojë sa më shumë fansa. “Dua të sigurohem që të dal dhe të shoh sa më shumë prej jush që të jetë e mundur”, ka shtuar ai.
Në një mesazh emocional për fansat, Zayn tha: “Mezi pres t’ju luaj këto shfaqje dhe shpresoj t’ju shoh të gjithëve nëpër botë shumë shpejt”.
Ndërkohë, koncertet në Glasgou dhe Dublin janë anuluar, por ai ende është i planifikuar të performojë në Meksikë, Argjentinë, Kili, Peru dhe Brazil.




















