Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) në mbledhjen e 298-të të hënën, ka nominuar kandidatin Zejnullah Gashi për Kryeprokuror të Shtetit. Ky kandidat i propozohet presidentit të shtetit për dekretim.
Gashi mori shumicën e thjeshtë të votave, pra pesë vota gjithsej. Kurse, Rafet Halimi mori një votë dhe kandidatët tjerë asnjë.
Në garë janë pesë kandidatë dhe atë: Atdhe Dema, Naim Abazi, Rafet Halimi, Shqipdon Fazliu dhe Zejnullah Gashi, raporton “Betimi për Drejtësi“.
Fillimisht, kryesuesi Arian Gashi tha se Paneli Vlerësues në përkrahje të Sekretariatit ka dorëzuar listën e kandidatëve për Kryeprokuror të Shtetit. Më pas, Paneli ka hapur aplikacionet përfshirë dokumentet e mbledhura nga Sekretariati.
Gashi shtoi se Paneli ka konstatuar se pesë kandidatë kanë plotësuar kriteret për pozitën e Kryeprokurorit të Shtetit. Lista është konfirmuar nga KPK-ja.
Më pas, kryesuesi shtoi se janë publikuar koncept-dokumentet e secilit kandidat.
Ai shtoi se intervistat janë monitoruar nga partnerët ndërkombëtarë dhe shoqëria civile, ku edhe është bërë publike ftesa.
Procesi i intervistimit, Gashi tha se është zhvilluar nga Paneli në mënyrë të pavarur, dhe rezultoi se kandidatët u poentuan në këtë mënyrë: Zejnullah Gashi 91.6 pikë, Atdhe Dema 89.3 pikë, Naim Abazi 89 pikë, Rafet Halimi 87 pikë dhe Shqipdon Fazliu 86.3 pikë.
Pas kësaj, ai tha se kandidatët janë njoftuar me të drejtën e ankesës dhe pas kësaj procedure, është përgatitur raporti final, me të cilin është rekomanduar lista me kandidatët: Zejnullah Gashi, Atdhe Dema, Naim Abazi, Rafet Halimi dhe Shqipdon Fazliu.
Pas këtyre sqarimeve, Këshilli kaloi në votim të fshehtë. Nga ky votim, abstenoi anëtari Milot Krasniqi, i cili tha se po abstenon për shkak të qëndrimeve që ka pasur lidhur me këtë proces.
Pas zhvillimit të procesit të intervistimit më 1 korrik 2026, Paneli Vlerësues publikoi rezultatet, sipas të cilave kandidatët u poentuan në këtë mënyrë: Zejnullah Gashi 91.6 pikë, Atdhe Dema 89.3 pikë, Naim Abazi 89 pikë, Rafet Halimi 87 pikë dhe Shqipdon Fazliu 86.3 pikë.
KPK-ja po ashtu ka publikuar edhe intervistat e pesë kandidatëve.
Ankesën ndaj vlerësimit të marrë gjatë procesit të përzgjedhjes, kishte parashtruar kandidati për Kryeprokuror të Shtetit, Atdhe Dema. Por, Këshilli refuzoi ankesën e tij në mbledhjen e 10 korrikut 2026.
Ndryshe, më 19 qershor 2026, me 6 vota për dhe 1 kundër, Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) ka miratuar kandidaturat e pesë kandidatëve që kanë hyrë në garë për Kryeprokuror të Shtetit.
Përkatësisht, prokurorët që kanë aplikuar për këtë pozitë dhe i plotësojnë kushtet sipas kritereve janë:
Atdhe Dema– Prokuror në Departamentin për Hetimin e Terrorizmit në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës,
Naim Abazi– Prokuror në Departamentin për Hetimin e Korrupsionit dhe Krimit Financiar në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës,
Rafet Halimi– Prokuror në Departamentin për Hetimin e Korrupsionit dhe Krimit Financiar në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës,
Shqipdon Fazliu– Prokuror në Zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit.
Zejnullah Gashi– Kryeprokuror i Prokurorisë Themelore në Prishtinë.
Ndryshe, “Betimi për Drejtësi” një ditë pas mbylljes së konkursit më 11 qershor 2026 kishte raportuar për pesë emrat e kandidatëve për Kryeprokuror të Shtetit.
Kujtojmë se vendimi për shpalljen e konkursit për Kryeprokuror të Shtetit ishte marrë në takimin e Këshillit Prokurorial të Kosovës më 18 maj 2026.
Pas shpalljes së konkursit, kryeprokurori i Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, Blerim Isufaj kishte paraqitur padi me kërkesë për masë të sigurisë në Gjykatën Administrative, duke kërkuar që konkursi i shpallur nga KPK-ja të pezullohet, por Gjykata Administrative e kishte refuzuar kërkesën. Vendimin e vërtetoi edhe Gjykata e Apelit.




















