Komuna e Prishtinës ka njoftuar se nga nesër do të zgjerohet itinerari i Linjës 15 të transportit publik, duke përfshirë edhe Qafën e Prapashticës.
Ky vendim synon të përmirësojë qasjen dhe lëvizjen e banorëve të zonave rurale në drejtim të kryeqytetit.
Sipas njoftimit të komunës, zgjerimi i linjës do të mundësojë lidhje më të mirë ndërmjet fshatrave të rajonit të Gollakut dhe Prishtinës, duke lehtësuar qarkullimin e përditshëm të qytetarëve.
Linja e re do të përfshijë destinacionet: Prapashticë, Qafa e Prapashticës, Gllogovicë dhe Hajkobillë, ndërsa pikënisja do të mbetet stacioni te Xhamia e Llapit në Prishtinë.
Komuna u ka bërë thirrje qytetarëve që të shfrytëzojnë transportin publik sipas orarit zyrtar të NPK “Trafiku Urban”, duke theksuar se zgjerimi i shërbimit është pjesë e përpjekjeve për të rritur qasjen në transport për të gjitha zonat e komunës.




















