Zyra për Mbrojtje dhe Ndihmë të Viktimave (ZMNV) ka trajtuar gjithsej 56 raste të reja gjatë periudhës 7–14 gusht 2026.
Sipas të dhënave të ZMNV-së, 53 prej rasteve kanë të bëjnë me dhunë në familje, ndërsa një rast me dhunim, një me lëndim të lehtë trupor dhe një me shkelje të urdhrit të mbrojtjes.
Gjatë kësaj periudhe, mbrojtësit e viktimave kanë parashtruar tetë Kërkesa për Urdhër Mbrojtje në gjykatë dhe 20 Kërkesa për Urdhër Mbrojtje Emergjente. Po ashtu, është parashtruar një kërkesë për vazhdimin e urdhrit të mbrojtjes.
Në kuadër të punës së tyre, janë miratuar 19 aktvendime, janë mbajtur 25 seanca gjyqësore dhe 14 seanca në prokurori, ndërsa viktimave u janë dhënë 53 këshilla juridike.
ZMNV-ja ka bërë të ditur gjithashtu se gjatë kësaj jave janë nxjerrë gjashtë aktgjykime dënuese, është parashtruar një kërkesë për kompensim nga Fondi për Viktimat, si dhe janë bërë referime të rasteve në Agjencinë për Ndihmë Juridike Falas dhe në Qendrat për Punë Sociale.
Gjithashtu, janë realizuar përfaqësime në QPS dhe në strehimore për viktimat.




















