Në vendin tonë shpeshherë është ngritur tema e aplikimit të mësimit fetar në shkolla dhe lejimi i bartjes së mbulesës (shamisë).
Lidhur me këtë temë ka folur edhe zëvendësministri i Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Dukagjin Pupovci.
Pupovci ka thënë se në shkollat e Kosovës sigurisht që duhet të mësohet për fenë e cila ofron informacion për religjionet e ndryshme dhe se kjo realizohet në kuadër të lëndëve të shkencave shoqërore, ndërsa edukata fetare si lëndë në vete, i takon bashkësive fetare e jo shkollave sekulare.
“Me siguri që në shkolla duhet të mësohet për fenë në formën e cila ofron informacion për religjionet e ndryshme, por gjithnjë duke e ruajtur karakterin sekular të shkollës. Kjo realizohet në kuadër të lëndëve të shkencave shoqërore siç janë historia, edukata qytetare, sociologjia, filozofia, etj., përmbajtjet e të cilave pasurohen në vazhdimësi. Ndërkaq, edukata fetare e cila ndërlidhet drejtpërdrejt me praktikimin e fesë i takon bashkësive fetare, e jo shkollës sekulare. Të gjitha bashkësitë fetare kanë programe të caktuara për edukatë fetare dhe është çështje e vullnetit të lirë të prindërve nëse fëmijët do t’i vijojnë ato programe. Shkolla jonë është laike dhe e tillë duhet të mbetet”, ka deklaruar Pupovci për lajmi.net.
Ai ka thënë se nuk mund të krijohet ndasi në mes të fëmijëve të konfesioneve të ndryshme brenda shkollave.