Gjykata Themelore në Prishtinë e ka dënuar me 1 vit e 4 muaj burgim Vullnet Gashin, i cili u shpall fajtor për aksidentin me pasoja fatale ku humbi jetën profesori Ferhat Bejtullahu.

Aktgjykimi u shpall të mërkurën nga gjyqtari Driton Berisha.

Përveç dënimit me burgim, gjykata i ka shqiptuar Gashit edhe një dënim plotësues. Atij i është marrë patentëshoferi, ndërsa për katër vjet i ndalohet të pajiset me leje të re për drejtimin e automjeteve.

Rasti kishte ndodhur më 2 dhjetor 2023, në rrugën “Bill Clinton” në Prishtinë. Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prishtinë, e ngritur më 27 shkurt 2024, Gashi po drejtonte automjetin pa patentë-shofer dhe në shiritin e dedikuar për autobusë dhe taksi.

Prokuroria pretendonte se ai nuk e kishte përshtatur shpejtësinë me kushtet e rrugës. Në këto rrethana, me pjesën e përparme të automjetit e kishte goditur Ferhat Bejtullahun, i cili ishte duke kaluar rrugën. Si pasojë e plagëve të marra, Bejtullahu kishte vdekur.

Gjatë fjalës përfundimtare, prokurori Ardian Mehmeti kishte kërkuar që Gashit t’i shqiptohej dënim efektiv me burgim. Ai kishte theksuar se deri në kohën e aksidentit, Gashi ishte dënuar 117 herë për kundërvajtje në trafik dhe se në ditën e aksidentit po drejtonte automjetin pa patentëshofer.

Gashi, gjatë shqyrtimit fillestar, ishte deklaruar i pafajshëm.

Aktgjykimi i Gjykatës Themelore në Prishtinë nuk është i formës së prerë dhe ndaj tij mund të ushtrohet ankesë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Related Posts