Deri në maj të këtij viti janë braktisur dy foshnje në Klinikën e Neonatologjisë në QKUK. Njëra prej tyre, rreth një muajsh vazhdon të jetë nën përkujdesjen e klinikës, ndërkohë gjatë 2025-s ishin regjistruar 12 raste të braktisjeve që më pas vazhduan jetën nën përkujdesjen e institucioneve sociale. Arsyet e braktisjeve sipas drejtorit të Klinikës së Neonatologjisë janë sociale, ekonomike e psikologjike.
Ka vetëm 3 javë prej kur erdhi në jetë, por ditët e saj të para po zhvillohen ende në hapësirat e spitalit. Historia e saj nisi me braktisje, pak kohë pas lindjes, duke mbetur e vetme nga familja biologjike, por jo edhe stafi mjekësorë.
Foshnja e dytë e braktisur deri në maj të këtij viti, po vazhdon nën kujdesin e Klinikës së Neonatologjisë në QKUK.
“I kemi pas vetëm dy raste deri në këtë periudhë, një në muajin shkurt, një në muajin maj, që e kemi ende në klinikë, I cili është në përkujdesjen e stafit tonë, dhe presim deri në një moment kur Qendra për Punë Sociale, I komunës prej nga vjen foshnja, e siguron një vendstrehim, ose një familje strehuese për këtë foshnje”, ka thënë Luan Morina, Drejtor në Klinikën e Neonatologjisë.
Vetëm gjatë vitit 2025, në Klinikën e Neonatologjisë u raportuan 32 raste të foshnjave të braktisura.
Sipas drejtorit, ka raste kur u arrit ribashkimi me familjet biologjike, ndërsa të tjerët vazhduan jetën nën përkujdesjen e institucioneve sociale.
“Ne në bashkëpunim me ndërmjetësuesen sociale që është në kuadër të klinikës, në bashkëpunim me QPS dhe gjithashtu me familjarët, kanë kontakte, takime, arrijnë të bëjnë ribashkimin me prindërit biologjik, qoftë me nënën ose babën, prej gjithë rasteve 32 që i kemi pas në fillim, 19 kemi arrit t’i ribashkojmë, ndërsa 12 raste kanë vazhdu ne kujdesin e QPS-së”, ka thënë Luan Morina, Drejtor në Klinikën e Neonatologjisë.
Morina shton se fenomeni i braktisjes së fëmijëve është kompleks dhe varet nga faktorë ekonomikë e social, psikologjik por edhe raste kur familja nuk e pranon foshnjën për shkak të moshës së re të nënës.
Klinika e Neonatologjisë kujdeset për foshnjet e braktisura deri në katër javët e para të jetës.
Më pas, Qendra për Punë Sociale e komunës përkatëse, përpiqet të sigurojë familje strehuese për ta.






























