Fëmijët e Angelina Jolie dhe Brad Pitt nuk kanë në plan të ndjekin hapat e prindërve të tyre. Në një intervistë në premierën e filmit të saj të ri, “Maria”, aktorja, 49 vjeçe, tregoi se nuk pret që ndonjë nga gjashtë fëmijët e saj: Maddox, 23 vjeç, Pax, 20 vjeç, Zahara, 19 vjeç, Shiloh, 18 vjeç dhe binjakët Knox dhe Vivienne, 16 vjeç, të bëhen aktorë si prindërit e tyre.
“Mendoj se ata janë shumë të turpshëm, njerëz shumë të mbyllur,” tha ajo duke shtuar më pas, “Ata duan të mbeten privatë”.
Në fillim të këtij muaji, një burim i afërt tha për PEOPLE se fëmijët e Jolie janë “mbështetësit e saj më të mëdhenj.”Në vitet e fundit, ajo ka arritur të krijojë një jetë të tillë për veten dhe fëmijët që i bën ata të gjithë të lumtur. Ka qenë një luftë në fillim, por Angelina është krenare për rezistencën dhe forcën e fëmijëve të saj,” tha burimi.
Angelina Jolie dhe Brad Pitt u lidhën në vitin 2005 pas xhirimeve të filmit “Mr. & Mrs. Smith”, për t’u martuar në vitin 2014. Në vitin 2016, Jolie kërkoi divorcin, çka çoi në një ndarje të vështirë, veçanërisht për çështjen e kujdestarisë së fëmijëve. Akuzat për sjelljen e Pitt, përfshirë një incident në një avion, ku pretendohej se ai ishte bërë i dhunshëm, rritën tensionet mes tyre.
Divorci i tyre u finalizua në vitin 2019, duke u dhënë kujdestari të përbashkët për fëmijët. Që atëherë, të dy kanë përqendruar vëmendjen te karrierat e tyre dhe kujdestaria e fëmijëve, megjithëse mosmarrëveshjet kanë qenë të vazhdueshme.