Numri i ndërhyrjeve kirurgjikale për ndryshimin e karakteristikave gjenitale në spitalet gjermane është rritur ndjeshëm gjatë pesë viteve të fundit.
Sipas të dhënave ekskluzive të Shoqatës Qendrore të Sigurimeve Shëndetësore (GKV), të publikuara nga gazeta gjermane WELT, në vitin 2025 në Gjermani janë regjistruar 4.181 ndërhyrje të tilla, krahasuar me 2.155 në vitin 2020. Kjo përfaqëson një rritje prej rreth 94 për qind, raporton Bild, transmeton IndeksOnline.
Trendi në rritje ka vazhduar edhe gjatë vitit 2026. Vetëm nga janari deri në maj janë regjistruar 1.719 ndërhyrje të tjera.
Rritja është veçanërisht e dukshme te grupmoshat e reja. Sipas të dhënave të Entit Federal të Statistikave, numri i ndërhyrjeve të regjistruara te personat nga 15 deri në 25 vjeç është rritur nga 355 në vitin 2016 në 1.075 në vitin 2024, pra më shumë se trefish.
Megjithatë, statistikat pasqyrojnë numrin e rasteve spitalore dhe jo domosdoshmërisht numrin e individëve, pasi një person mund t’i nënshtrohet disa ndërhyrjeve dhe të regjistrohet më shumë se një herë.
Pasiguri për mbulimin e shpenzimeve
Paralelisht me rritjen e numrit të operacioneve, në Gjermani është hapur një debat për mënyrën se si do të financohen këto trajtime në të ardhmen.
Çështja lidhet me një vendim të Gjykatës Federale Sociale të Gjermanisë, të datës 19 tetor 2023. Rasti kishte të bënte me heqjen kirurgjikale të gjoksit (mastektominë) te një person jobinar.
Gjykata vendosi se ndërhyrjet që synojnë ndryshimin e trupit për shkak të mospërputhjes mes identitetit gjinor dhe seksit biologjik konsiderohen metoda të reja trajtimi. Për rrjedhojë, sigurimet shëndetësore nuk janë të detyruara t’i mbulojnë ato pa një vlerësim dhe rekomandim paraprak nga Komiteti i Përbashkët Federal (G-BA).
Ky institucion e nisi zyrtarisht shqyrtimin më 19 mars 2026. Sipas Shoqatës Qendrore të Sigurimeve Shëndetësore, procedura pritet të përfundojë në pranverën e vitit 2027.


















