Reperi i njohur Rigels Rajku i njohur si Noizy është paraqitur sot në stacionin policor në Pejë ku edhe është duke u intervistuar nga hetuesit policor.
Kjo është konfirmuar për Express, nga zëdhënësi i Prokurorisë Themelore në Pejë, Shkodran Nikçi.
Ai tha se pritet që Noizy të ndalohet për 48 orë me vendim të prokurorit.
“Reperi Noizy pak më parë është paraqitur në stacionin policor, me ç’rast më pas do të intervistohet nga hetuesit policor, e me vendim të prokurorit të shtetit do të ndalohet për 48 orë”, ka thënë Nikçi për Express.
Me kërkesë të Policisë së Kosovës, në muajin gusht ishte arrestuar në Lezhë reperi Rigels Rajku i njohur me emrin artistik Noizy.
Ai ishte shpallur në kërkim të hënën lidhur me rrahjen që kishte ndodhur më 1 gusht në një diskotekë në Pejë.
Bashkë me Noizyn është arrestuar edhe DJ i tij, Bahtjar Bajraktari, i cili po ashtu ishte në kërkim.
“Në vijim të operacioneve të njëpasnjëshme për kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim, nga Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale, Sektori për Kërkimin, Njësia “FAST Albania” në Departamentin e Policisë Kriminale në PSH, është marrë informacion nga FAST Kosova, për 2 shtetas të kërkuar për llogari të Kosovës, që mund të fshiheshin në Shqipëri. Menjëherë, FAST Albania, bazuar në inteligjencën policore, bëri të mundur lokalizimin e 2 të kërkuarve, dhe në kuadër të operacionit policor “Fast”, kapi në Lezhë dhe arrestoi 2 shtetasit e shpallur në kërkim nga Policia e Kosovës, konkretisht shtetasin R. R., nga Durrësi, dhe shtetasin B. B., nga Prishtina”, thuhej në njoftimin e Policisë së Shtetit.
Aty thuhet se kapja dhe arrestimi i tyre u bënë me qëllim ekstradimin në Kosovë.
Më pas ai u lirua p[asi pagoi 2 mijë euro gjobë pranë gjykatës.