Kanali amerikan në New York, “Abc7” që publikoi për herë të parë videon e Parashqevi Simakut teksa ajo merrte ndihma sociale, ka publikuar një storje ku tregon për jetën e këngëtares, teksa e cilëson këtë histori si ‘mrekulli’.
“Abc7” tregon sesi ajo video u kthye në një histori ndërkombëtare dhe e lidhi Parashqevi Simakun me Shqipërinë, populli që atë e donte aq shumë dhe e cilësonte si “Madona e Shqipërisë”.
Programi “On your side” në kanalin amerikan ABC 7 ishte duke ndjekur një akt bamirësie në stacionin kryesor të trenave në Nju Jork ku disa të pastrehëve po iu shpërndaheshin çanta shpine me dhurata.
Secila çantë kishte një shënim të shkruar me shkrim dore nga një fëmijë. Njërën prej këtyre çantave të shkruar nga Ella e mori këngëtarja e famshme shqiptare, Parashqevi Simaku, e cila ishte edhe pjesë e kronikës së televizionit amerikan.
Gazetarja Nina Pineda rrëfen se si në 10 dhjetor, me ekipin e televizionit ndoqën një grup fëmijësh duke shpërndarë ndihma për njerëz të pastrehë.
“Eleganca e saj më bëri përshtypje”, pohon gazetarja, që shton se gjithçka ndodhi më pas quhet mrekulli.
Kjo video e shkurtër mjaftoi që njerëzit në Shqipëri ta njihnin menjëherë.
Parashqevi Simaku është këngëtare dhe aktore, një thesar kombëtar për Shqipërinë, thotë ABC 7.
ABC 7 raporton se komuniteti shqiptar në SHBA u solidarizua menjëherë, duke ndihmuar Simakun të largohej nga Penn Station brenda dy ditëve, të rinisë jetën e saj dhe t’i rikthehet muzikës pas gati dy dekadash.
Ka intervistuar edhe Elton Ilirjani, i cili ishte ai që e ndihmoi. Me të parë gjendjen e saj, ai dhe të tjerët e gjetën Simakun në Penn Station brenda dy ditësh.
“Kam pesë vjet që e kërkoja”, tha Ilirjani. “Vrapova drejt saj dhe e përqafova”. Ilirjani i ofroi t’i blinte Simakut një dhomë për të fjetur, gjë që ajo pranoi.
“Ajo bëri një dush të gjatë. Mbretëresha u kthye. Ajo bëri flokët dhe grimin”, tha Ilirjani. “Ajo ishte e bukur. Ne shkuam në një restorant në Hudson Yards, ku ajo këndoi në anglisht dhe frëngjisht.”
Parashqevi tha për Eyewitness News se askush nuk shkon nga rrugët drejt yjeve, por se ajo po bëhet më e mirë dhe komuniteti i saj vazhdon ta mbështesë.