Analisti Andi Bushati, në një editorial të postuar në portalin Lapsi.al, shkruan se duket sikur presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ishte nisur drejt Tiranës për të asgjësuar Edi Ramën.
“Ajo lëvizi çdo gur për të theksuar se afërsia e kryeministrit tonë me Aleksandar Vuçiçin, po e pengon dënimin e genocidit serb të kryer në kohën e Millosheviçit,” shkruan Bushati.
“Por, e keqja është se në axhendën e Vjosa Osmanit, nuk qe vetëm kërkesa për dënimin e genocidit serb. Ajo u pasua, aty për aty, me një tjetër kritikë të ashpër ndaj një çështjeje të cilës Edi Rama i ka vënë gjoksin. Ajo u kujdes të theksojë se Mini-Shengeni ballkanik i shërben më shumë Serbisë sesa dy vendeve tona. Ajo e tha këtë pikërisht në Tiranë, në të njëjtin vend ku pak muaj më parë Vuçiç e fshikulloi mikun e tij Edi, se kompleksohej nga liderët e Prishtinës për të mbrojtur këtë projekt të së ardhmes,” vijon analisti.
“Gjithçka do të ishte OK, sikur ato t’i thoshte qoftë një intelektual i pavarur, apo qoftë edhe një politikan kryetar partie. Ndërsa, kur ato artikulohen nga goja e kryetarit të shtetit të Kosovës, pesha është tejet më e rëndë. Sepse askush më parë, asnjëherë, nuk ka zbarkuar në Tiranë duke përdorur të tilla tone dhe me një axhendë kaq të qartë për goditjen e një njeriu të vetëm.
Këtë e bëri Vjosa Osmani duke përmbysur raportet e brishta mes lirisë për të thënë të vërtetën dhe vetëpërmbajtjes që obligon arsyeja shtetërore. Pasi pavarësisht se ndoshta Edi Rama e meriton përmendjen e të gjitha atyre që u thanë, konkluzioni që do të mbahet shënim nga kjo vizitë është shumë i rëndë. Ai dëshmon se qeveria e Tiranës është vënë në shërbim të Serbisë kundër interesave të Kosovës. Dhe kjo është tepër për të qenë në axhendën e takimit të çdo kryetari shteti. Aq më tepër kur miku vjen nga Prishtina,” përmbyll shkrimin analisti.