Në dy blloqe banimi në qendër të Prishtinës, që prej 11 ditësh katet përdhese janë mbushur me ujëra të zeza, si pasojë e bllokimit të pusetave të kanalizimit. Banorët ankohen se Komuna nuk u ka bërë zgjidhje për problemin që thonë se u përsëritet në vazhdimësi. E në Komunën e Prishtinës thanë se vonesa është shkaktuar fillimisht nga mosfinalizimi i procesit tenderues, e më pas edhe shkaku i kushteve atmosferike
Prej njëmbëdhjetë ditësh, ujërat e zeza kanë vërshuar katet përdhese të dy objekteve të banimit në rrugën “Sylejman Vokshi” në qendër të Prishtinës.
Për ta parandaluar depërtimin e ujërave brenda banesave, banorët janë detyruar që përditë ta bëjnë vetë zbrazjen e pusetës.
Ata ankohen se me gjithë ankesat e adresuara për zgjidhjen e problemit që u përsëritet, Komuna e Prishtinës nuk e ka ndërmarrë asnjë veprim.
Ky është një problem i kamotshëm, nuk është duke ndodhur tash. Megjithatë, në këtë situatë, për me u derdh ujërat në ndërtesë është duke ndodhur qe 10 ditë, dy javë. Është gjendja alarmante. Kemi qenë disa herë në komunë, kemi informuar edhe inspektoratin, është dorëzuar shkresa edhe në inspektorat, mirëpo nuk ka asnjë veprim konkret”, ka thënë Teuta Danuza, banore në këtë bllok banesash.
Banori Halit Sylejmani thotë se zgjidhje nuk prodhoi as një kontratë e 2014-s, të cilën Komuna e pati arritur për rregullimin e rrjetit të kanalizimit në këtë zonë.
“Ky problem nuk është i sotëm apo i djeshëm, por është qe 12 vjet. Që nga viti 2013 kur kam bërë kërkesë në emër të të gjithë banorëve këtu se ky kanalizim është i dëmtuar dhe nuk mund të qarkullojë uji. Këto dy hyrje janë mjerim i llojit të vet në një shtet që e kemi krijuar dhe se ekzistojmë si qytetar edhe më herët, nuk janë në gjendje 200 m me ndërruar një gyp të kanalizimit”, ka thënë Sylejmani.
E lidhur me kontratën, drejtor i Investimeve Kapitale dhe Menaxhimit të Kontratave në Komunën e Prishtinës, Krenar Xhaferi, thotë se udhëheqja aktuale në Prishtinë që prej 2020-s ka qenë në pritje të përfundimit të procesit të tenderimit.
“Pasi është nënshkruar kontrata, kishim planifikuar të fillonim punimet vitin e kaluar, por për shkak të kohës të periudhës dimërore dhe thellësisë të madhe, e cila nuk do lagështi në kuadër të pjesës së punimeve aty, sepse mund të ketë edhe shembjeve që e rrezikon edhe më shumë pjesën e terrenit. Për këtë arsye ka pasur vonesa, por besoj që të hënën fillojnë punimet dhe zgjidhet një problem i kahershëm në këtë pjesë të rrugës ‘Sylejman Vokshi’”, ka bërë të ditur Xhaferi.
Si pasojë e kundërmimit dhe shfaqjes edhe të minjve, banorët i kanë kërkuar Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike ta bëjë vlerësimin për rrezikshmërisë nga sëmundjet.