Hetimi disa mujor i Njësisë së Hetimeve të Trafikimit me Njerëz në Policinë Rajonale në Ferizaj çoi në zbulimin e një rasti të rëndë dhe në arrestimin e dy personave të dyshuar për shfrytëzim dhe trafikim të vajzave të mitura për prostitucion. Viktimat u detyruan të kryejnë shërbime seksuale me pagesë për persona të ndryshëm, ndërsa të dyshuarit përfituan nga ky aktivitet kriminal, raporton Gazeta Sinjali.

Sinjali ka mësuar ekskluzivisht se personat që janë kapur nga Policia si të dyshuarit kryesorë për këtë veprimtari të kundërligjshme janë Ermal Stublla dhe Valentina Hashani.

Stublla dhe Hashani dyshohen se kanë trafikuar katër vajza të mitura, të moshave 15, 16 dhe 17 vjeç, duke i detyruar ato të kryejnë marrëdhënie seksuale me persona të ndryshëm kundrejt pagesës.

Bazuar në dosjen e rastit, të cilën e ka siguruar Sinjali, aktiviteti kriminal dyshohet të jetë zhvilluar në disa lokacione, ndërsa “Villa Berry” në Ferizaj ka qenë një nga vendet kryesore, ku viktimat janë detyruar të kryejnë shërbime seksuale me pagesë.

Të dyshuarit dyshohet se i transportonin viktimat në lokacione të ndryshme, duke i dorëzuar te klientët dhe duke përfituar financiarisht nga shfrytëzimi i tyre.

 

Njëra nga vajzat aktualisht është dërguar në një strehimore, ku po merr ndihmën e nevojshme.

Lidhur me rastin, hetimi po vazhdon për të zbardhur të gjitha rrethanat e këtij rrjeti kriminal dhe për të identifikuar persona të tjerë që mund të jenë të përfshirë.

Pas përfundimit të intervistimit, me urdhër të prokurorit, të dyshuarit janë ndaluar për 48 orë në Qendrën e Ndalimit në Prishtinë.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

Related Posts