Një incident me sfond provokues është regjistruar sot në rrugën Gjakovë–Prishtinë, ku një grup prej 10 motoçiklistësh, të pajisur me flamuj serbë, kanë defiluar nëpër qytete duke ngritur tre gishta – një simbol nacionalist serb – në drejtim të qytetarëve.
Burime të brenda Policisë bëjnë me dije se patrullat e Drejtoria Rajonale e Policisë Gjakovë janë angazhuar menjëherë pas marrjes së informacionit, ndërkohë që është njoftuar edhe Stacioni Policor në Klinë për të ngritur një pikë kontrolli.
Njësia e Reagimit të Shpejtë nga Gjakova ka ndjekur grupin e motoçiklistëve deri te udhëkryqi Gjakovë–Klinë–Prishtinë, por pavarësisht përpjekjeve për t’i ndaluar, 9 prej tyre kanë vazhduar drejt Prishtinës, duke mos respektuar urdhrin e ndaljes nga Policia. Ndërkohë, njëri nga ta është shkëputur nga grupi dhe ka vazhduar drejt Klinës.
Ngjarja ka shkaktuar reagime të qytetarëve për shkak të natyrës provokuese të sjelljes së tyre dhe simboleve të përdorura.