Ministria për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare ka publikuar gjetjet e Inspektimit të Jashtëzakonshëm në Qendrën për Punë Sociale në Pejë, lidhur me trajtimin institucional të rastit të Arlinda Zekajt.

Sipas raportit të inspektimit, në këtë rast janë evidentuar disa shkelje dhe mangësi në punën e QPS-së, përfshirë mosrespektimin e afateve gjyqësore, neglizhencën në përmbushjen e detyrave zyrtare dhe mungesën e mbikëqyrjes profesionale.

Ministria ka bërë të ditur se raporti ka identifikuar pesë gjetje kryesore.

Ndër to është dorëzimi me vonesë i raportit në Gjykatë. Ndonëse aktvendimi i datës 24 shtator 2026 përcaktonte afatin prej shtatë ditësh, raporti ishte dorëzuar më 5 tetor 2026.

Po ashtu, është konstatuar mungesa e menaxheres së rastit në seancën gjyqësore të 5 tetorit, pa arsyetim, si dhe mosrealizimi i monitorimit të kërkuar pas pranimit të një aktvendimi gjyqësor.

Gjetjet e inspektimit përfshijnë edhe moszbatimin e procedurave standarde për menaxhimin e rastit, përfshirë mungesën e formularëve për kontaktet dhe punën në rast, si dhe mos hartimin e Planit Individual të Shërbimeve.

Një tjetër mangësi e evidentuar është mungesa e mbikëqyrjes profesionale nga udhëheqësi i Shërbimeve Sociale ndaj punës së menaxheres së rastit.

Për këto shkelje, Divizioni i Inspektimit i ka rekomanduar kryetarit të Komunës së Pejës ndërmarrjen e masave disiplinore ndaj menaxheres së rastit, T. G., dhe udhëheqësit të Shërbimeve Sociale, D. K.

Njoftimi i plotë:

NJOFTIM PËR OPINIONIN PUBLIK

Ministria për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare, në funksion të transparencës dhe informimit të saktë të publikut, bën publike përmbledhjen e gjetjeve dhe rekomandimeve të Raportit të Inspektimit të Jashtëzakonshëm në Qendrën për Punë Sociale në Pejë, lidhur me trajtimin e rastit të së ndjerës A. Z.

Raporti konstaton mosrespektim të afatit gjyqësor, neglizhencë në përmbushjen e detyrave, mosveprim sipas detyrës zyrtare dhe mungesë të mbikëqyrjes profesionale.

Konkretisht:

1. Dorëzimin e raportit në Gjykatë jashtë afatit shtatëditor, të përcaktuar me aktvendimin e datës 24.09.2026. Raporti është dorëzuar më 05.10.2026.

2. Neglizhencën në përmbushjen e detyrave të punës, përkatësisht mungesën e pajustifikuar të menaxheres së rastit në seancën gjyqësore të datës 05.10.2026.

3. Mosrealizimin e monitorimit që kërkohej sipas detyrës zyrtare pas pranimit të aktvendimit gjyqësor të datës 07.09.2026, pavarësisht se QPS-ja kishte përgjegjësi për të vepruar edhe pa detyrime të posaçme të përcaktuara nga Gjykata.

4. Moszbatimin e procedurave standarde të menaxhimit të rastit: mosplotësimin e formularit për kontaktet dhe punën në rast, si dhe moshartimin e Planit Individual të Shërbimeve.

5. Mungesën e mbikëqyrjes profesionale nga udhëheqësi i Shërbimeve Sociale mbi punën dhe përmbushjen e detyrave të menaxheres së rastit, në kuadër të përgjegjësisë së tij për monitorimin e punës së zyrtarëve profesionalë dhe organizimin dhe funksionimin e Shërbimit Social në QPS Pejë.

Për këto shkelje, Divizioni i Inspektimit i ka rekomanduar Kryetarit të Komunës së Pejës ndërmarrjen e masave disiplinore ndaj menaxheres së rastit, T. G., dhe udhëheqësit të Shërbimeve Sociale, D. K., sipas përgjegjësive të tyre dhe procedurave ligjore.

Raporti i rekomandon gjithashtu Kryetarit të Komunës:

– Rritjen urgjente të kapaciteteve të stafit profesional të licencuar, duke pasur parasysh pamjaftueshmërinë e stafit në raport me vëllimin e përgjegjësive dhe territorin që mbulon QPS Pejë.

– Ndërmarrjen e hapave të menjëhershëm për zhvendosjen e Drejtorisë për Mirëqenie Sociale, përkatësisht drejtoreshës A. B., për të mundësuar punën e pavarur profesionale të QPS-së dhe ndarjen e qartë të detyrave, përgjegjësive dhe funksioneve ndërmjet dy institucioneve.

PËR QENDRËN PËR PUNË SOCIALE NË PEJË, RAPORTI REKOMANDON:

– Menaxheri i rastit dhe kujdestari ligjor të sigurojnë mbikëqyrje të vazhdueshme dhe vizita të rregullta monitoruese për fëmijën e vendosur në strehimore, duke vlerësuar gjendjen shëndetësore, psikosociale dhe përshtatjen e tij, si dhe duke dokumentuar shërbimet e ofruara.

– QPS-ja të koordinojë shërbimet me institucionet përkatëse, bazuar në nevojat dhe planin individual të shërbimeve për fëmijën.

– Të kërkojë nga Drejtoria për Mirëqenie Sociale zhvillimin e procedurave për rritjen e stafit profesional të licencuar.
– Zyrtarët e Shërbimit Social të përdorin të gjithë formularët standardë të menaxhimit të rasteve.

– Të vlerësohen nevojat për trajnim dhe ritrajnim të stafit për zbatimin e legjislacionit, procedurave standarde dhe standardeve minimale, me theks të veçantë në mbrojtjen e viktimave të dhunës në familje.

Kërkojmë nga Komuna e Pejës trajtimin pa vonesë të rekomandimeve dhe njoftimin zyrtar të Ministrisë për veprimet e ndërmarra. Ministria do të monitorojë zbatimin e rekomandimeve nga ana e Komunës së Pejës.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Related Posts