Presidentja Osmani ka caktuar 12 tetorin e vitit 2025, datë të mbajtjes së zgjedhjeve të rregullta lokale Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka caktuar datën 12 tetor 2025 për mbajtjen e zgjedhjeve të rregullta lokale në Republikën e Kosovës.
Ky vendim është marrë pas shqyrtimit të kujdesshëm të propozimeve të subjekteve politike, si dhe pas një analize të plotë, në përputhje me afatet kushtetuese dhe ligjore.
Caktimi i kësaj date synon të mundësojë përgatitje të plotë të procesit zgjedhor nga institucionet përgjegjëse, përfshirë Komisionin Qendror të Zgjedhjeve dhe institucionet e tjera relevante, me qëllim të respektimit të standardeve më të larta të administrimit zgjedhor.
Kjo datë siguron hapësirën e nevojshme për organizimin teknik dhe logjistik për të gjitha format dhe procedurat e votimit sipas përcaktimit ligjor.
Presidentja Osmani u ka bërë thirrje të gjitha subjekteve politike, organizatave të shoqërisë civile dhe qytetarëve që t’i qasen këtij procesi me përgjegjësi të plotë në funksion të garantimit të një procesi gjithëpërfshirës, të rregullt dhe të drejtë.