Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një konferencë për media ka bërë thirrje për më shumë bashkërendim ndërmjet subjekteve politike dhe institucioneve lidhur me zhvillimet politike dhe çështjen e Dhomave të Specializuara të Kosovës, raporton Ekonomia Online.

Kurti ka thënë se beson se ekziston mundësia për një dakordim ndërmjet subjekteve politike, duke theksuar se diskutimet për çështje të tilla nuk duhet të zhvillohen përmes mediave, por në takime ndërmjet krerëve të partive dhe subjekteve parlamentare.

“Unë besoj që duhet të ketë takime, diskutime dhe pajtime. Unë e kam parë që është e mundur. Ekziston rruga në të cilën mund të ecim bashkë. Dhe 99 votat e sotme në deklaratën e sotme janë gjithashtu një dëshmi e qartë për këtë. Unë nuk besoj që këto diskutime duhet t’i bëjmë në media. Besoj që këto diskutime duhet të zhvillohen mes krerëve të partive, mes subjekteve parlamentare, në bisedat e brendshme dhe më pastaj t’i publikojmë rezultatet e këtyre bisedave. Unë jam optimist sepse e kam parë që është e mundur. Pra, përveç se kemi vullnet, kemi mundësi. E kur ekziston edhe vullneti edhe mundësia, është më pak se një muaj nga suksesi”, tha ai.

Duke folur për gjykimin në Dhomat e Specializuara, Kurti ka thënë se nuk ka pritur drejtësi nga kjo gjykatë, duke rikujtuar se qëndrimi i tij ndaj saj, sipas tij, nuk ka ndryshuar.

Ai ka renditur tri çështje që i konsideron si “defekte kapitale”, duke përmendur cilësimin e ndërmarrjes së përbashkët kriminale, mungesën e transparencës dhe, siç i quajti ai, pasaktësitë faktike e historike.

“Tash ju e keni parasysh që tek ky gjykim i Dhomave të Specializuara, nga i cili unë nuk mund të thosha se kam pritur drejtësi, për shkak se asnjëherë se kam ndryshuar qëndrimin tim për këtë gjykatë, janë tri defekte kapitale. I pari është cilësimi i ndërmarrjes së përbashkët kriminale. Nuk ka pasur ndërmarrje të përbashkët kriminale. Dhe kjo duhet, patjetër të korrigjohet në Apel. E dyta është që ka munguar transparenca dhe ka pasur në njëfarë mënyre absolutisht veçse gjykatë monoetnike. Ju e dini që Zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Enver Dugolli, ishte, siç e keni marrë vesh më herët në Kuvend, si i mbijetuar i masakrës së Dubravës, ka bërë një kallëzim penal në Dhomat e Specializuara në mënyrë që ta trajtojnë edhe çështjen e masakrës së Dubravës, ku janë mbledhur të burgosurit shqiptarë në pranverën e vitit 1999 nga mbarë Serbia dhe janë sjellë në Dubravë të Istogut, ku më pastaj mbi 100 prej tyre janë pushkatuar e janë ekzekutuar nga gardianët e Serbisë”, tha ai.

Kurti ka thënë se çështja e masakrës së Dubravës, sipas tij, bie brenda fushëveprimit dhe mandatit të Dhomave të Specializuara, ndërsa ka kritikuar faktin se, siç deklaroi, nuk ka pasur përgjigje për kallëzimin e bërë.

“Prapë, kjo është gjatë luftës së fundit në Kosovë. Është përbrenda fushëveprimit, është përbrenda mandatit, është përbrenda kohës së Dhomave të Specializuara dhe trajtimeve që ato bëjnë. Dhe që nga prilli i vitit 2023, pra tri vjet e gjysmë, nuk ka marrë asnjë përgjigje nga Dhomat e Specializuara. Kjo është, karakteri monoetnik bashkë me mungesën e transparencës, janë dy defektet e tjera”, tha ai.

Si të tretin, Kurti ka përmendur ato që i cilësoi si pasaktësi faktike dhe historike, duke theksuar se vendimi i plotë i Dhomave të Specializuara përbëhet nga mijëra faqe.

“Dhe i treti, natyrisht janë ato pasaktësitë faktike dhe historike të cilat i dëgjuam me datën 16 shtator, por nuk duhet të harrojmë se atë ditë janë lexuar dhjetëra faqe. Për vendimin e plotë është mijëra faqe. Ndërsa është shfrytëzuar një përqindje njëshifrore e vendimit të përgjithshëm në rastin në fjalë. Dhe është çështje javësh besoj kur do të dalë vendimi i plotë, edhe unë dyshoj që dikush prej ekipeve të mbrojtjes ka arritur që deri më tash ta lexojë në plotëni e me saktësi atë vendim se është shumë voluminoz”, tha ai.

Kurti ka kërkuar që çështja të trajtohet përmes një koordinimi më të gjerë, jo vetëm brenda institucioneve dhe spektrit politik të Kosovës, por edhe në bashkëpunim me Shqipërinë.

“Dhe në mbrojtjen që duhet t’u bëjmë si shtet e si shoqëri, por unë do të thoja edhe si Shqipëri, sepse ju e dini që gjenocidi i Serbisë në Kosovë nuk ka ndodhur përse thjesht jemi të Kosovës, por për shkak se jemi shqiptarë. Dhe ju e patë se në vendimin, në gjykimin e Dhomave të Specializuara, përmenden 14 komuna të Kosovës, po përmenden edhe dy në Shqipëri. Prandaj këtu duhet të jemi bashkë, jo vetëm spektri politik i Kosovës, bashkë si shtet gjithsesi, bashkë si shoqëri padyshim, por edhe bashkë me Shqipërinë. Dhe vetëm në këtë mënyrë, me një strategji të përbashkët shtetërore, me qëllimin e përbashkët, fitoren në Apel, ne dalim fitues”, tha ai.

Ai ka bërë thirrje për më shumë koordinim ndërmjet liderëve politikë dhe subjekteve parlamentare, duke përmendur edhe kryetarin e PDK-së, Bedri Hamza, dhe kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku.

“E për këtë gjë, unë po kërkoj që të ketë sa më shumë bashkërendim e bashkëveprim. Çështja është tepër e rëndësishme, por nuk bën të bëjmë gabime. Nuk na falen më gabimet. Nëse gabon rregullisht diçka qenësore nuk është më gabim. Prandaj është e domosdoshme që jo veç me kryetarin Hamza e Abdixhiku, por edhe subjektet parlamentare sa më shumë të komunikojnë dhe në frymën dhe në germën e kësaj deklarate të përbashkët të vazhdojnë përpara”, tha ai.

Kurti ka folur edhe për procedurën institucionale lidhur me Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara të Kosovës, duke thënë se Kuvendi i Kosovës ka kërkuar opinion nga Zyra Ligjore e Kryeministrisë.

Sipas tij, Zyra Ligjore e Kryeministrisë më pas ka kërkuar mendim nga Zyra Ligjore e Ministrisë së Drejtësisë, ndërsa pritet edhe opinioni i Departamentit të Buxhetit të Ministrisë së Financave.

“Edhe një herë po e përsëris këtë. Kuvendi i Kosovës ka kërkuar nga Kryeministria opinion nga Zyra Ligjore. Zyra Ligjore ka kërkuar mendim nga Zyra Ligjore e Ministrisë së Drejtësisë, se kjo është procedura normale. Nuk bën të bëjmë shkelje, nuk kemi nevojë. Gjithashtu Departamenti i Buxhetit i Ministrisë së Financave do ta japë opinionin e vet. Edhe të gjitha këto do të përmbyllen këtë javë.

Dhe mandej ne i drejtohemi Kuvendit edhe vazhdon procedura më tutje me një iniciativë e cila nuk është propozim-ligj nga Qeveria e Republikës së Kosovës, por nga Kuvendi i Republikës”, tha ai.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Related Posts