Miliarderi Elon Musk ka lëshuar një deklaratë të fortë ndaj gjigantit teknologjik Microsoft, duke parashikuar një dominim të plotë të OpenAI në industrinë e inteligjencës artificiale.
Në një koment drejtuar drejtpërdrejt CEO-së së Microsoft-it, Satya Nadella, Musk deklaroi se “OpenAI do ta përpijë për së gjalli Microsoftin”.
Kjo deklaratë vjen në një kohë kur marrëdhëniet mes Muskut dhe OpenAI kanë qenë të tensionuara, sidomos pas padisë që Musk ngriti më herët kundër kompanisë që ai ndihmoi të themelohej, duke e akuzuar për largim nga misioni i saj fillestar jofitimprurës.
Microsoft ka investuar dhjetëra miliarda dollarë në OpenAI dhe teknologjitë e saj, duke integruar modelet e inteligjencës artificiale të OpenAI në produktet kryesore si Office dhe Azure.
Por, duket se Musk e sheh këtë aleancë si një marrëdhënie të rrezikshme për vetë Microsoftin.
Ekspertët e industrisë janë të ndarë mbi deklaratat e Muskut, por nuk mohojnë ndikimin në rritje të OpenAI në tregun global të AI.
Ndërkohë, kompania xAI e Elon Musk po përpiqet të ndërtojë një alternativë të fuqishme ndaj OpenAI.