Presidenti Joe Biden i bëri sot thirrje Kryeministri izraelit Benjamin për “një ulje të ndjeshme të tensioneve” pas 10 ditësh luftimesh të ashpra mes izraelitëve dhe palestinezëve.
Ky është presioni më i fortë që zoti Biden ka bërë deri më tani ndaj një vendit aleat.
Sipas një deklarate të Shtëpisë së Bardhë gjatë një bisede telefonike Presidenti Biden i kërkoi zotit Netanyahu që të shkohet drejt “rrugës për një armëpushim”.
Si pasojë e sulmeve ajrore izraelite të mërkurën herët në mëngjes u vranë të paktën gjashtë vetë në Rripin e Gazës dhe u shkatërrua shtëpia e një familjeje prej shumë anëtarësh. Pavarësisht presionit ndërkombëtar në rritje për një armëpushim, ushtria tha se i ka zgjeruar sulmet e saj ndaj objektivave të militantëve në jug të territorit palestinez, duke u përballur me zjarrin e raketa të vazhdueshme të Hamasit. Një raketë paralajmëruese goditi ndërtesën ku strehohej një familje prej 40 anëtarësh pesë minuta para sulmit ajror, duke bërë që të gjithë të shpëtonin. Ushtria izraelite tha se goditi objektivat e militantëve përreth qyteteve Khan Younis dhe Rafah.
Sulmi i fundit vjen ndërsa përpjekjet diplomatike që synojnë një armëpushim po forcohen dhe ndërsa infrastruktura e Gazës, e dobësuar tashmë nga një bllokadë 14-vjeçare, po përkeqësohet me shpejtësi. Furnizimet me medikamente mjekësore, ujë e karburant po mbarojnë në këtë territor, ndaj të cilit Izraeli dhe Egjipti kanë vendosur bllokadë pasi grupi militant islamik Hamas mori pushtetin në 2007. Administrata Biden ka inkurajuar në mënyrë jozyrtare Izraelin të ndërpresë bombardimet e saj në Gaza. Negociatorët egjiptianë gjithashtu po punojnë për të ndalur luftimet dhe ndërsa nuk kanë bërë përparim me Izraelin, u shfaqën optimistë se presioni ndërkombëtar do ta ulte atë në tavolinë. Zyrtarët diskutuan mbi përpjekjet diplomatike në kushte anonimiteti.
Mbetet ende e paqartë nëse këto përpjekje do të japin rezultate apo sa shpejt. Kryeministri Benjamin Netanyahu tha se Izraeli shpreson të rivendosë qetësinë “shpejt”, por nuk përjashtoi mundësinë e përshkallëzimit të mëtejshëm. “Ne mund t’i mposhtim, dhe kjo është gjithmonë një mundësi e hapur, ose t’i sprapsim”, u tha ai ambasadorëve të huaj. “Ne jemi të angazhuar aktualisht në sprapsjen e tyre, por duhet të them se nuk përjashtojmë asgjë”. Luftimet filluan më 10 maj kur Hamasi lëshoi raketa me rreze të gjatë veprimi drejt Jeruzalemit pas disa ditësh përplasjesh mes protestuesve palestinezë dhe policisë izraelite në kompleksin e xhamisë Al-Aksa, një pikë e nxehtë për hebrenjtë dhe myslimanët. Taktikat e ashpra të policisë në këtë kompleks dhe kërcënimi për dëbim i dhjetëra familjeve palestineze nga hebrenjtë krijoi tensione.
Të paktën 219 palestinezë janë vrarë në sulmet ajrore, përfshirë 63 fëmijë dhe 36 gra, ndërsa 1.530 vetë janë plagosur. Ministria e Shëndetësisë në Gaza nuk thotë se sa prej tyre janë ushtarë e sa civilë. Hamasi dhe Xhihadi Islamik thonë se të paktën 20 luftëtarë të tyre janë vrarë, ndërsa Izraeli thotë se numri është të paktën 130. Rreth 58,000 palestinezë janë larguar nga shtëpitë e tyre. Dymbëdhjetë vetë në Izrael, përfshirë një djalë 5-vjeçar dhe një ushtar, janë vrarë gjatë sulmeve me raketa.
Ushtria izraelite ka kryer me qindra sulme ajrore që thotë se kanë si objektiv infrastrukturën e militantëve të Hamasit, ndërsa militantët palestinezë kanë hedhur më shumë se 3,700 raketa në drejtim të Izraelit, ndërsa me qindra kanë dështuar të godasin objektivin. Raketat e lëshuara nga Hamasi kanë goditur një numër qytetesh izraelite, përfshirë Tel Avivin, dhe kanë krijuar një problem të madh në zonat afër Gazës.
Këto janë luftimet më të ashpra që nga një luftë e vitit 2014 mes Izraelit dhe Hamasit e që kanë nxitur protesta në të gjithë botën. Ato frymëzuan palestinezët në Izrael dhe në territoret e pushtuara për t’u hedhur në një grevë të përgjithshme të martën, një veprim i rrallë kolektiv. Izraeli pushtoi Bregun Perëndimor, Jeruzalemin lindor dhe Gazën gjatë luftës në Lindjen e Mesme të vitit 1967, territore që palestinezët i pretendojnë për shtetin e tyre të ardhshëm.
/Top Channel/