Rubin: Mos e bëni rezultatin perfekt armik të së mirës – kjo është ajo që ka bërë Hashim Thaçi në Rambuje

Ish-diplomati amerikan James Rubin ka vlerësuar se qeveria aktuale duhet të tregojë më shumë gatishmëri për kompromis në raportet me aleatët ndërkombëtarë. Në një intervistë në Klan Kosova, Rubin kujtoi përvojën e tij me institucionet e Kosovës gjatë viteve të para të pavarësisë, duke theksuar rolin e Hashim Thaçit si lider që e kishte përdorur kompromisin si mjet politik e diplomatik.

“Kur kam punuar me Qeverinë e Kosovës, fillimisht kur u pavarësua si shtet dhe kur u takova me Hashim Thaçin si kryeministër – e më pas punova me të edhe si president – gjithmonë gjeja mundësi për t’i marrë qëndrimet e ShBA-ve me shumë kujdes, për të qenë i kujdesshëm ndaj opinionit të tyre dhe për të reflektuar në mënyrën më të mirë gatishmërinë për të bërë kompromis.” – tha ai.

Ai shtoi se edhe vendimet e rënda në Rambuje dhe procesi i çmilitarizimit nuk ishin të lehta, por falë këtyre hapave, Kosova siguroi përkrahjen vendimtare të Perëndimit. Rubin paralajmëroi se politika e refuzimit të kompromisit mund ta izolojë Kosovën nga partnerët ndërkombëtarë.

“Çfarë kemi mësuar në gjykim në ditët e fundit është se z. Hashim Thaçi ka treguar lidership duke bërë kompromis. Po të kishte dëgjuar Adem Demaçin dhe ekstremistët e tjerë, Kosova do të ishte masakruar, NATO-ja nuk do të kishte intervenuar. Nganjëherë, lidershipi nënkupton kompromis, dhe duhet ta pranoj që vitet e fundit më ka bezdisur qasja e Qeverisë suaj në shumë raste për të kuptuar vlerën e kompromisit për të arritur objektivat.

“Mos e bëni rezultatin perfekt armik të së mirës – kjo është ajo që ka bërë Hashim Thaçi në Rambuje dhe në gatishmërinë për çmilitarizim. Asnjë nga këto nuk ka qenë e lehtë dhe nuk kanë qenë zgjedhje të lehta as për të. Por, duke bërë kompromis, ai ka fituar mbështetjen e Perëndimit. Shpresoj dhe pres që Qeveria e Kosovës do t’i rikthehet këtij kuptimi të diplomacisë ndërkombëtare – dhe ndonjëherë, edhe duke bërë kompromis.” – tha Rubin.

Related Posts