Kosova sot po i nënshtrohet procesit të zgjedhjeve lokale.
Deri më tash, kanë votuar kandidatë e liderë të partive politike.
Disa prej tyre kanë ‘gjuajtur’ thumba, disa kanë bërë pak fushatë, e disa janë mjaftuar me thirrje për proces të rregullt zgjedhor.
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka votuar.
Ai ka bërë thirje që këtë të drejtë, ta shfrytëzojnë qytetarët.
“Sot është ditë shumë e rëndësishme. Votojmë për të vendosur për katër vitet e ardhshme në komunat tona, për çerdhet, ujin, shërbimet e tjera. Përveç qytetarë të Kosovës, jemi banorë të komunës, andaj ftoj qytetarët pa dallim që ta përdorin mundësinë, ta shfrytëzojnë të drejtën, të bëhen hisedarë në zgjidhjen e problemeve që kanë për t’i plotësuar nevojat e tyre”, tha Kurti.
Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ka votuar sot.
Ai ka thënë se zgjedhjet lokale janë mundësia më e mirë për qytetarët.
Krasniqi i pyetur për zgjedhjet, tha se do të votojnë më 9 nëntor në balotazh e në dhjetor në zgjedhje parlamentare.
“Memli Krasniqi: Votuam jo vetëm për të kryer obligimin, por edhe për t’i dhënë Prishtinës drejtimin që meriton. Ftoj qytetarët që t’u japin drejtim komunave e qyteteve ku ata jetojnë. Verdikti i tyre duhet të jetë ai që vendos për të ardhmen e tyre. Sot do të jetë ditë e mirë, feste për qytetarët, e proces shembullor. Mundësia më e mirë për qytetarët që të vendosin për të ardhmen e tyre. Besoj që do votojmë më 9 nëntor në balotazh, e jo më larg se në dhjetor në zgjedhje parlamentare”, tha ai.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, votoi pak më parë.
Ajo tha se sot është ditë e rëndësishme, përderisa kritikoi Serbinë për ndërhyrje në proces.
“Sot është ditë e rëndësishme për demokracinë e vendit tonë, sa më masive pjesëmarrja, sa më i rregullt të jetë procesi, aq më e fortë do të jetë demokracia. I uroj suksese të gjithë atyre që po marrin pjesë, shpresoj të jetë proces me rezultate në të mirë të qytetarëve tanë. Serbia ka ndërhyrë në proceset zgjedhore, ne do të bëjmë çmos që të gjithë qytetarëve përfshirë në veri, të garantohet e drejta e lirisë në votë”, tha ajo.
Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka thënë se zgjedhjet janë festë.
“Zgjedhjet do të mbesin festë e demokracisë, ditë ku vendimmarrja kthehet te qytetarët, për lagjet e tyre, komunat e tyre. Le të urojmë e punojmë se Kosova do të jetë shembull i organizimit të zgjedhjeve. Dua të falënderoj organet e rendit, Prokurorinë, Policinë, që kujdeset që çdo votë të jetë e drejtë, dhe juve mediave. Dua të uroj të gjithë votuesit që sot për herë të parë votojnë, ose marrin pjesë në votime. Le të jetë ditë feste për të gjithë, ditë e mbarë, ditë e demokracisë, Kosova duhet të jetë krenare me procesin zgjedhor”, tha Abdixhiku.
Kryetari i Kuvendit, Dimal Basha, e kishte pasur të planifikuar të votojë në orën 13:00 në Ferizaj.
Megjithatë, Basha ka shkuar më herët, dhe asnjë media nuk e ka përcjellur.
Kështu ka raportuar Klan Kosova.
Kështu, Basha u iku mediave në votimin e tij për herë të parë si kryeparlamentar.
Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka votuar në Gllogjan.
Ai ka thënë se është ndjenjë e mirë të votosh aty ku ka votuar babai i tij.
“E kreva obligimin tim qytetar, së bashku me nanën, Suzanën, Antigonën, një pjesë të familjes në Gllogjan, Anita e Gjini në Prishtinë. Kuvendet komunale, kryetarët, kanë shumë rëndësi. Vendosni, votoni. Për shkakun nuk po foli mo, qenka ndjenjë e mirë me votu në vendlindje, më ka votu baba, familja. Pata përjetim të mirë”, tha Haradinaj.
Kryetari i Nismës, Fatmir Limaj, ka thënë se zgjedhjet janë mundësi për qytetarët që të vlerësojnë punën e atyre që udhëhoqën.
Limaj tha se qytetarët kanë oferta të mira.
“Është moment i mirë, qytetarët kanë shans të jashtëzakonshme për të vlerësuar punën e atyre që kanë qenë, dhe për t’i dhënë vetes për të përmirësuar jetën e tyre. Dua të them që sante kur kandidatët fitues të shpallin fitoren, shpresoj që në atë fitore kanë fitu edhe qytetarët. Sonte ka shansa që kandidatët fitojnë bashkë me qytetarët, sepse kanë oferta të cilat nëse votohet për ta, kanë fituar edhe qytetarët”, tha ai.
Përparim Rama me mesazh për Kurtin, Urani pak fushatë, Çeku kapet me gazetarë
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, i ka çuar ‘selam’ Albin Kurtit.
Tha se uron që të fitojnë ata që bashkëpunojnë me miqtë ndërkombëtarë.
“Faleminderit shumë të nderuara media për punën e mrekullueshme që po e bëni, urime për fitoren e Shqipërisë dje, historike. Uroj edhe sot të fitojë kryeqyteti, zhvillimi i vendit tonë, një bashkëpunim i mirësjelltë nga të gjithë, unifikim, zgjidhje e përbashkët për të ardhmen e fëmijëve tanë. Uroj që fitorja të jetë e atyre që bashkëpunojnë me miqtë tanë ndërkombëtarë, që i çojnë proceset përpara me vizion, për fëmijët tanë”, tha Rama.
Ka votuar kandidati i VV-së për kryetar të Prishtinës, Hajrulla Çeku.
Më pas, ai ka ftuar qytetarët që ta shfrytëzojnë të drejtën e tyre për të votuar.
“Dita e zgjedhjeve duhet të jetë ditë feste, pas një fushate të qetë dhe konstruktive, që realisht u përmbyll me fitoren e jashtëzakonshme të Shqipërisë, sot jemi këtu për ta ushtruar të drejtën tonë demokratike, që duhet ta bëjnë të gjithë qytetarët pa dallim. Sot përcaktojmë katër vitet e ardhshme drejtimin e qytetit”, tha Çeku.
Atij nuk i ka pëlqyer pyetja pse është vonuar siç paralajmëroi.
“Sot qasja duhet të jetë më korrekte”, tha ai.
Kandidati i PDK-së për kryetar të Prishtinës, Uran Ismaili, ka votuar.
Ai ka thënë se shpreson që kryeqyteti ta shfrytëzojë mundësinë për ndryshim.
“Sot është një ditë e mirë për Prishtinën në të cilën vendosim për të ardhmen për katër vitet e ardhshme. Falënderoj qytetarët që më kanë pritur mirë. Ka qenë fushatë e jashtëzakonshme, i falënderoj të gjithë ata që kanë kontribu. Shpresoj që Prishtina ta shfrytëzoj mundësinë e vet për ndryshim në mënyrën që të jetë qytet që dojmë me pa të zhvillum”, tha Ismaili.
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, e quajti dje gomë rezervë.
Por, sot, Arian Tahiri është përgjigjur me qetësi e edukatë.
“Unë veç uroj që sot dita të jetë e qetë, e bukur, qysh po shkon, jam optimist për një ditë të bukur”, tha Tahiri.


























