Në rrjetet sociale po shtohet dita-ditës zemërimi ndaj vendimeve të përsëritura të FIFA-s dhe UEFA-s për ndëshkimin e sportistëve shqiptarë që festojnë me simbolin e shqiponjës pas një goli apo gare. Kjo gjestikë, e cila përfaqëson simbolin e flamurit kombëtar shqiptar, është interpretuar nga disa instanca ndërkombëtare si shenjë politike apo ekstremiste — një qasje që shumëkush e cilëson të padrejtë dhe fyese.
Kjo ka shtyrë qytetarë dhe sportdashës të nisin një peticion publik, i cili i kërkon autoriteteve shqiptare shtetërore dhe sportive të sqarojnë zyrtarisht në FIFA dhe UEFA se simboli i shqiponjës me duar nuk ka asnjë lidhje me urrejtje apo ekstremizëm, por është shprehje krenarie kombëtare dhe identiteti.
“Si mund të ndëshkohen sportistët tanë vetëm pse festojnë me simbolin e flamurit të tyre? A do të na hiqet edhe e drejta për t’u identifikuar si shqiptarë?”, theksohet ndër të tjera në reagimet që po qarkullojnë në rrjet.
Sipas nismëtarëve të peticionit, çdo përpjekje për të ndaluar këtë gjest është fyerje ndaj një kombi të tërë dhe bie ndesh me parimet themelore të respektit kulturor dhe lirisë së shprehjes.
“Është koha që autoritetet tona të mos heshtin. Duhet të veprojnë dhe të sqarojnë njëherë e mirë kuptimin e vërtetë të këtij simboli para organizatave ndërkombëtare të sportit”, thuhet në njoftimin e peticionit, i cili fton qytetarët ta nënshkruajnë dhe ta shpërndajnë sa më gjerë.