Historiani Jusuf Buxhovi në një intervistë për “Përballje” në Telegraf me kryeredaktorin Muhamet Hajrullahu, ka folur për zhvillimet politike në vend.
Buxhovi e ka vlerësuar si ndryshim të rëndësishëm politik ardhjen në pushtet të lëvizjes Vetëvendosje. Historiani ka kritikuar tri partitë që aktualisht janë në opozitë, për keqqeverisje gjatë 16 viteve të kaluara.
“Në Kosovë tash në tre muajt e fundit kemi një ndryshim shumë të rëndësishëm politik, së paku në kuptimin formal po them janë ndërruar garniturat politike që kanë qenë që 16 vite. Qeveritë e kaluara nuk marrin notën kaluese sa i përket punës që ka bërë dhe janë shumë arsye”, tha Buxhovi.
Ai shtoi se gjatë qeverisjes së këtyre partive politike LDK, PDK, AAK Kosova nuk ka arritur ta rrumbullakësoj procesin e shtet-ndërtimit.
Buxhovi shton se shteti i Kosovës nga grupe të ndryshme është shfrytëzuar për krijimin e strukturave kriminale.
“Kosova po ashtu në vend që të përmbush këtë komponentë shumë të rëndësishme, për fat të keq nga kjo klasë politike është shfrytëzuar që shteti të kthehet në pronë. Nuk është mëndu që shteti të ndërtohet, të ndërtohen institucionet, demokracia dhe çlirimi të përkthehet në liri. Grupe të ndryshme e kanë shfrytëzuar që të krijojnë struktura prej atyre kriminale deri te ato mafioze, dhe shtetin e kanë sjellë në një gjendje ku ka lulëzuar korrupsioni, nepotizmi dhe shumë dukuri tjetra që kanë ndikuar të rrënohen edhe shtyllat kryesore të sistemit të vlerave”, u shpreh Buxhovi.
Ai theksoi se LDK e ka kthyer në një flamur Rugovën dhe e ka keqpërdor në mënyrën më brutale për ta mbajtur pushtetin sikurse që kanë bërë PDK e AAK me UÇK-në.
“Edhe PDK dhe AAK e kanë keqpërdor UÇK-në se jemi parti e luftës, këto parti kanë punuar për interesa të tyre njëra ka punuar kundër frymës së LDK tjetra e ka komprementu edhe luftën e drejtë të UÇK-në dhe është mundu që kapitalin e luftës ta kthej në kapital politik”, u shpreh Buxhovi.