Në Greqi u zbuluan gjysmën e të gjitha automjeteve të vjedhura të identifikuara gjatë operacionit të gjerë policor “Joint Action Day (JAD) Mobile 8)”, i zhvilluar në 26 vende europiane me koordinimin e Europol dhe pjesëmarrjen e disa shteteve, mes tyre edhe Shqipëria. Në total u gjetën 462 automjete të vjedhura ose të falsifikuara, ku 231 prej tyre u sekuestruan në territorin grek.
Sipas njoftimit zyrtar, në nivel europian u identifikuan 462 mjete, 232 më shumë se një vit më parë. Në Greqi u kontrolluan 6.548 automjete, duke rezultuar në gjetjen e 231 mjeteve të vjedhura ose të falsifikuara, si dhe në arrestimin e 84 emigrantëve të parregullt dhe 21 trafikantëve. Po ashtu, u sekuestruan 199.56 gramë substanca narkotike.
Policia greke mori pjesë në këtë aksion përmes strukturave të specializuara të krimit të organizuar, ndërsa operacioni u zhvillua nga 20 deri më 31 tetor 2025, në kuadër të prioritetit europian “Empact”.
Fushata u koordinua nga Frontex, në bashkëpunim me autoritetet greke, gjermane, spanjolle dhe polake.
Në operacion morën pjesë vendet e BE-së si: Austria, Bullgaria, Kroacia, Çekia, Franca, Gjermania, Holanda, Italia, Letonia, Lituania, Polonia, Portugalia, Rumania, Spanja dhe Suedia, raporton Euronewsalbania.
Gjithashtu u përfshinë edhe vende të treta, mes tyre Shqipëria, Kosova, Moldavia, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Serbia dhe Zvicra, si dhe agjencitë Europol dhe Interpol.
Nga ana greke, kontrollet intensive u kryen si në kufijtë e jashtëm të vendit, ashtu edhe brenda territorit, në Atikë, Selanik, Kilkís, Fthiotida, Thrakë, Sërres, dhe në pikat kufitare Mertzani, Krystallopigi dhe Kakavia, me qëllim identifikimin e automjeteve të vjedhura dhe të modifikuara.
























