Kolegji i Gjykatës Supreme të Kosovës ka miratuar kërkesëpadinë e paditëses A.U.-F., e paraqitur kundër Ndërmarrjes Publike “Termokos” Sh.A., duke shpallur të paligjshme dhe duke shfuqizuar Rregulloren nr.1450/1 të datës 08.08.2024, për Organizimin dhe Sistematizimin e Vendeve të Punës në këtë ndërmarrje publike.

Seanca shqyrtuese është mbajtur më 12.11.2025, në përputhje me nenet 58 dhe 59 të Ligjit Nr.08/L-182 për Konfliktet Administrative, në prani të palëve ndërgjyqëse. Pas vlerësimit të bazës ligjore, përmbajtjes, formës dhe procedurës së ndjekur për miratimin e këtij akti nënligjor, Gjykata Supreme ka konstatuar se Rregullorja është nxjerrë në kundërshtim me dispozitat e Ligjit për Ndërmarrjet Publike dhe ndryshimet e tij.

Sipas gjetjeve të gjykatës, Rregullorja nr.1450/1 është nënshkruar nga Kryeshefi Ekzekutiv i NP “Termokos”, i cili, sipas ligjit, nuk është person i autorizuar për të miratuar akte nënligjore normative që kanë të bëjnë me organizimin dhe sistematizimin e brendshëm të vendeve të punës.

Gjykata ka vlerësuar se akti i kontestuar është nxjerrë pa kompetencë ligjore dhe në kundërshtim me parimin e ligjshmërisë, ndërsa padia e paraqitur nga paditësja është konsideruar e bazuar në ligj.

Related Posts