Drejtori sportiv i Barcelonës, Deco, ka hedhur poshtë çdo mundësi për të sjellë përforcime gjatë afatit kalimtar të dimrit.
“Përforcime në janar? Është shumë e vështirë që të ndodhë diçka në tregun e dimrit. Nuk mendoj se kemi nevojë të marrim dikë me skuadrën që kemi aktualisht”, ka thënë Deco.
Së fundmi ishte raportuar se katalanasit po kërkonin një qendërmbrojtës të ri për muajin janar, por këto zëra janë shuar përfundimisht.
Trajneri Hansi Flick do të duhet të vazhdojë me eksperimentin e Gerard Martin në krahun e majtë të qendrës së mbrojtjes, përkrah Pau Cubarsit.
Martin ka shkëlqyer në këtë rol në dy ndeshjet e fundit, duke bindur stafin teknik.
Barcelona është goditur nga një numër i madh dëmtimesh këtë sezon, çka ka ndikuar edhe në luhatjet e formës.
Megjithatë, skuadra e Flick duket se po gjen ritmin, pasi ka parakaluar Real Madridin dhe ka marrë kryesimin në La Liga.
Pavarësisht mungesës së afrimeve në janar, një sulmues, një lojtar krahu i majtë dhe një qendërmbrojtës mbeten prioritetet kryesore të klubit për afatin kalimtar të verës. /Telegrafi/



























