Presidenti i Federatës Iraniane të Futbollit, Mehdi Taj, ka dalë hapur kundër faktit që ndeshja mes Iranit dhe Egjiptit në Kupën e Botës 2026 është shpallur si “Pride Match”, në kuadër të aktiviteteve “PrideFest”.

Ndeshja është planifikuar të luhet më 26 qershor në Seattle, në fazën e grupeve të Botërorit që do të zhvillohet në Shtetet e Bashkuara. Sipas Tajt, zhvillimi i kësaj ndeshjeje nën ngjyrat e ylberit përbën “një sulm ndaj vlerave islamike”.

Ai ka theksuar se ndeshja përkon edhe me muajin e shenjtë të Ramazanit. Në Iran, homoseksualiteti konsiderohet mëkat i dënueshëm, ndërsa në Egjipt është vepër penale. Për këtë arsye, të dyja kombëtaret i kanë kërkuar FIFA-s që të heqë elementët që lidhen me “Pride” ose të ndryshojë termin e ndeshjes.

“Nuk duam që ndeshja jonë e tretë në Botëror të luhet nën ngjyrat e ylberit. Jemi të vendosur ta kundërshtojmë këtë iniciativë,” ka deklaruar Taj, duke shtuar se disa veprime bien ndesh me vlerat kulturore, fetare dhe shoqërore të vendeve arabe dhe islame.

Nga ana tjetër, autoritetet lokale të Seattle kanë konfirmuar se aktivitetet e “PrideFest” do të zhvillohen në gjithë qytetin, me synim promovimin e përfshirjes së komunitetit LGBTQ+.

FIFA ka reaguar duke sqaruar se përgjegjësia e saj kufizohet vetëm në stadiume dhe zonat zyrtare të tifozëve, ndërsa nuk ka kontroll mbi aktivitetet që organizohen nga komunitetet lokale jashtë këtyre hapësirave.

Related Posts