Priten çeqe rimbursimi 2 mijë dollarë.

Administrata e presidentit amerikan Donald Trump pritet të vendosë tarifa të reja ndaj industrisë kineze të gjysmëpërçuesve, duke filluar nga mesi i vitit 2027, ndërsa paralelisht po shqyrton mundësinë e dhënies së çekëve të rimbursimit prej 2 mijë dollarësh për qytetarët amerikanë, si pasojë e të ardhurave nga tarifat doganore.

Drejtori i Këshillit Ekonomik Kombëtar të SHBA-ve, Kevin Hassett, deklaroi se administrata është e bindur se Gjykata e Lartë do të vendosë në favor të Qeverisë në çështjen që sfidon ligjshmërinë e tarifave të vendosura nga Trump.

Sipas tij, një vendim kundër Qeverisë do të mund të çonte në rimbursime deri në 100 miliardë dollarë, duke krijuar vështirësi të mëdha administrative.

Hassett theksoi gjithashtu se ideja e çekëve të rimbursimit prej 2 mijë dollarësh është tashmë “shumë më e mundshme” dhe se presidenti pritet të paraqesë një propozim zyrtar në Kongres në fillim të vitit të ardhshëm. Paralelisht, Trump ka njoftuar edhe një pagesë të veçantë prej 1 mijë e 776 dollarësh, të quajtur “dividendi i luftëtarit”, për rreth 1.5 milionë pjesëtarë të forcave të armatosura amerikane.

Sipas të dhënave zyrtare, të ardhurat mujore nga tarifat kanë shënuar një rënie të lehtë, nga 31.35 miliardë dollarë në tetor në 30.76 miliardë dollarë muajin pasues, pas heqjes së disa tarifave për produkte si kafeja, portokallet dhe kakaoja. Kjo është hera e parë që regjistrohet një rënie që nga nisja e zbatimit të tarifave.

Ndërkohë, Qeveria amerikane konfirmoi se tarifat ndaj çipave kinezë do të hyjnë në fuqi më 23 qershor 2027. Presidenti Trump ka autorizuar gjithashtu kompaninë Nvidia të shesë disa prej çipave të saj më të avancuar në Kinë, duke deklaruar se presidenti kinez Xi Jinping ka reaguar pozitivisht ndaj këtij vendimi.

Në të njëjtën kohë, disa kompani të mëdha amerikane, përfshirë Costco, kanë depozituar padi dhe kërkesa për rimbursim të tarifave, në pritje të vendimit të Gjykatës së Lartë, i cili mund të detyrojë qeverinë amerikane të kthejë miliarda dollarë të mbledhura nga importet.

Related Posts