Gjilan – Shumë mërgimtarë që këto ditë kanë qëndruar në Gjilan janë kthyer të zhgënjyer me gjendjen e rëndë energjetike. Më dukej si në kohën e luftës jeta këtu, pa rrymë, pa ndriçim publik dhe një atmosferë e zymtë u shprehën disa nga mërgimtarët.
Kur vijnë mërgimtarët në vendlindje ngjallet jeta dhe atmosfera festive. Këtë vit fatkeqësisht problemet me energji elektrike e kanë ndërprerë gëzimin dhe atmosferën që krijohej më herët.
Tani shumica po kthehen, por shumë prej tyre me mbresa zhgënjimi.
Murati një 54 vjeçar thotë se kësaj radhe pushimi i tij ishte shumë i cunguar. “Në lagjen time mbretëronte një heshtje e çuditshme për shkak të mungesës së ndriçimit publik. Gjithkund në botë ndriçimi publik është puna më e vogël qw mundet një qeverisje komunale me ta sigurue. Kur s`ka ndriçim publik rriten rreziqet tjera përcjellëse. Madje një natë mezi e gjeta edhe rrugën e lagjes” shprehet ky mërgimtar.
Bujari një tjetër mërgimtar që vepron në Zvicër tha se komuna e Gjilanit duhet të zgjohet nga gjumi. “E pash një atmosferë krejt ndryshe nga vitet e kaluara, kishte shumë më pak atmosferë festive sepse njerëzit i kishte kapur panika e rrymës. Kjo vërtet më la kujtime jo të mira sa qëndrova në familje”.
Por ka edhe mërgimtar të atillë që mungesën e rrymës nuk e kishin shumë problem.
Elezi një 44 vjeçar tha se me rëndësi është që ka ndodhur ndryshimi. “Unë jam kënaqur dhe kam kaluar mirë. Ata hajnat e mëdhaj i quam në Hagë, tash edhe me mbetën pa rrymë gajle se kam” u shpreh me ironi ky mërgimtar.