Deputetja nga komuniteti boshnjak, Duda Balje, i ka reaguar ashpër kryetarit të Kuvendit Glauk Konjufca duke i thënë se është detyrë e tij që ta sqarojë para publikut punën e shpenzimeve të udhëtimeve për deputetë.
Balje, që ishte një nga deputetet me më së shumti shpenzime për derivate, tha se nuk ka gënjyer asnjëherë për vendbanimin e saj, derisa shtoi se për këtë gjë është ngacmuar nga qytetarët derisa edhe djalit të saj 13 vjeçar shokët dhe shoqet i kanë thënë se e ka nënën “hajdute”.
“I nderuari Kryetar i Kuvendit të Kosovës z.Glauk Konjufca, Nga pozita në të cilën jeni, keni qenë të detyruar t’i drejtoheni publikut në emër të të gjithë deputetëve për shpenzimet e udhëtimit që rregullohen me Rregulloren e Kuvendit. Pse nuk pate guximin te thuash të vërtetën, të pakten timen, nuk kam gënjyer për vendbanimin tim apo nëse kam makinë.
Për herë të parë që kur jam bërë deputete e këtij vendi, ndihem shumë keq, sepse në tre ditët e fundit kam pasur mbi 280 telefonata nga mediat, çdo qytetar tjetër që më kalonte në rrugë thoshte emrin “naftë” në forma e kontekste të ndryshme”.
“Dje, djali im 13-vjeçar pati një diskutim në klasë me miqtë e tij se si nëna e tij është një “hajdute”. Edhe djalit tim i është vështirësuar të shkoj në shkollë, për shkak të komenteve të ndyshme në emrin tim. Paramendoni si ndihet fëmija im në këto moment!”, ka shkruar ajo në reagimin e saj.
Ajo deklaroi se nuk është ‘hajdute’ dhe se Konjufca si kryetar i Kuvendit duhet ta thotë të vërtetën ose ta ndryshojë rregulloren, njofton Klankosova.tv.
“Unë nuk jam hajdute dhe ti je kryetar i Kuvendit në të cilin punoj, thuaj të vërtetën, ose ndrysho rregulloren, merr një vendim tjetër për shpenzimet, hidhe në tryezë iniciativën e ligjit për deputetët. Si kryetar i kuvendit ju takon të thuani të vërtetën e ti dilni në mbrojtje deputetëve të cilët nuk kanë vepruar asgjë kundër rregullores dhe ligjit”.