Gazmend Muja sërish ka dalë kundër vëllait të tij, deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, Armend Muja. Kësaj radhe për tërheqjen e mjeteve nga Trusti.
Deputeti i LVV-së, Armend Muja, dje u shpreh kundër tërheqjes së mjeteve nga Trusti Pensional, propozim ky nga Partia Demokratike e Kosovës, i cili gjeti mbështetje edhe nga shumë qytetarë.
“Nëse ka ardhur ky propozim nga PDK-ja, unë mendoj që është një propozim i varfër intelektualisht. Demonstron mosnjohuri konceptuale siç e karakterizon PDK-në që një kohë të gjatë. E vërteta është që qytetarët e Kosovës kanë vështirësi në këtë kohë. Mirëpo, Qeveria duhet të përdorë mekanizma të tjerë të politikës fiskale jo të ngritën pritje në formë të propagandës që i mundëson ose të krijojë përshtypje sikurse ajo lejohet. Trusti Pensional është i dizajnuar në atë mënyrë që të kursejnë qytetarët që të përballojnë konsumin pas moshës 65-vjeçare. Nëse i shikoni të gjitha raportet ndërkombëtare, kjo është bërë një herë, por që nuk duhet të lejohet në të ardhmen dhe e kuptoj që çfarëdo që kanë nevojë qytetarët është mirë që qeveria t’i adresojë ato përmes transfereve sociale, jo duke abuzuar me Trustin Pensional”, ka deklaruar Armend Muja për EO.
Nuk dihet pse deputeti Muja e sheh si propozim të varfës intelektualisht kur është vetë Qeveria e Vetëvendosjes, e cila e ka jetësuar një herë këtë propozim.
Megjithatë, vëllai i deputetit Muja, Gazmend Muja, është ai që ia ka çuar porosinë më të mirë lidhur me tërheqjen e mjeteve nga Trusti. Gazmend Muja e konsideron si jetike për familjen e tij dhe shumë të tjera në Kosovë tërheqjen e parave nga Trusti.
Përmes një postimi në Facebook, ai sot ka thënë se tërheqja e Trustit 20-30% në këtë periudhë do të ndikonte pozitivisht në përmirësimin e bazës materiale.
“Tërheqja e trustit 20-30%, në këtë periudhë do të ndikonte pozitivisht në përmirësimin e bazës materiale dhe konsideroj se është jetike për mua dhe shumë familje në Kosovë”, ka thënë Gazmend Muja.