Ushtruesja e Detyrës së Presidentes të Kosovës, Albulena Haxhiu, priti në takim Zëvendëskryeministrin dhe Ministrin e Punëve të Jashtme të Mbretërisë së Belgjikës, Maxime Prevot.
Në komunikatën për media thuhet se Haxhiu e ka falënderuar për mbështetjen e vazhdueshme dhe të palëkundur që Belgjika i ka dhënë Kosovës ndër vite.
Në takim u vlerësuan marrëdhëniet e shkëlqyera ndërmjet Kosovës dhe Belgjikës, si dhe kontributi i rëndësishëm i mërgatës në Belgjikë në forcimin e lidhjeve ndërmjet dy vendeve.
“Bashkëbiseduesit diskutuan për mundësitë e thellimit të bashkëpunimit bilateral, me theks të veçantë në avancimin e bashkëpunimit ekonomik dhe krijimin e mundësive të reja për investim dhe partneritet ndërmjet dy shteteve”, thuhet në komunikatë.
Haxhiu gjithashtu ka theksuar rëndësinë e avancimit të procesit të anëtarësimit në Bashkimin Evropian si dhe përkushtimin e Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës dhe në NATO.



















