Për vetëm katër muaj, në Kosovë janë importuar mbi 1 mijë e 300 vetura të reja.
Sipas të dhënave të Doganës së Kosovës, gjatë periudhës nga janari prill të këtij viti në Kosovë janë importuar gjithsej 1,310 vetura të reja, me një vlerë të përgjithshme prej 15,511,065 euro.
Të dhënat katërmujore tregojnë se muaji mars dominon dukshëm, me 700 vetura të importuara dhe vlerë mbi 7.6 milionë euro.
Në muajin shkurt janë importuar 241 vetura (mbi 4 milionë euro), në janar 163 vetura (rreth 2.7 milionë euro), ndërsa në prill, deri më 7, janë regjistruar 206 vetura me vlerë mbi 1 milion euro.
Struktura e tregut tregon një dominim të qartë të veturave me benzinë, të cilat përbëjnë 1,128 njësi me vlerë mbi 8.6 milionë euro.
Ndërkohë, 178 vetura janë me motor dizel me vlerë rreth 6.7 milionë euro, ndërsa vetëm 4 mjete të veçanta janë importuar në këtë periudhë.
Sa i përket origjinës, tregu kosovar furnizohet kryesisht nga vendet evropiane, por me një prani të madhe edhe nga Azia. Në aspektin e sasisë, bie në sy numri i lartë i veturave nga Kina (773 njësi) në kategorinë e benzinës. Nga Evropa, numër të konsiderueshëm kanë Republika Çeke (132 vetura) dhe Spanja (88 vetura).
Në kategorinë e veturave me motor dizel, Gjermania prin me 89 vetura, ndërsa në përgjithësi mbetet vendi me vlerën më të madhe të importit, duke kaluar 3.4 milionë euro vetëm në këtë segment. Pas saj renditen edhe shtete si Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Italia, Spanja dhe Republika Çeke.



















