Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shqipërisë, Skender Hita, ka zhvilluar një vizitë zyrtare në Policinë e Kosovës, ku është diskutuar për thellimin e bashkëpunimit ndërmjet dy institucioneve të sigurisë.

Gjatë takimit, drejtuesit e dy policive kanë diskutuar për prioritetet strategjike, sfidat aktuale të sigurisë dhe nevojën për rritjen e bashkëpunimit në luftën kundër krimit të organizuar, krimit ndërkufitar dhe fenomeneve të tjera që cenojnë sigurinë rajonale, njofton Policia e Shqipërisë.

Drejtues Madhor Skender Hita falënderoi drejtuesit e Policisë së Kosovës për mikpritjen dhe rikonfirmoi gatishmërinë e Policisë së Shtetit për ta thelluar më tej bashkëpunimin në të gjitha fushat me interes të përbashkët.

“Krimi sot është më i organizuar, më i sofistikuar dhe pa kufij. Për këtë arsye, edhe përgjigjja jonë duhet të jetë më e shpejtë, më e koordinuar dhe më e fortë. Shqipëria dhe Kosova kanë ndërtuar një partneritet model mes dy policive tona dhe ky bashkëpunim do të vijojë të forcohet në shërbim të sigurisë së qytetarëve tanë”, u shpreh drejtori Hita.

Sipas njoftimit, të dy drejtuesit vlerësuan bashkëpunimin e deritanishëm në shkëmbimin e informacionit, hetimet dhe operacionet e përbashkëta policore, si dhe në menaxhimin e sigurisë kufitare.

Related Posts