Sindikata e Punëtorëve e Radiotelevizionit të Kosovës (SPERTK) ka paralajmëruar për “paralizim funksional” të transmetuesit publik, pasi nga llogaritë e institucionit janë tërhequr rreth 1 milion euro përmes veprimeve përmbarimore, duke e lënë RTK-në pa mjete operative financiare.
Përmes një reagimi, Sindikata ka thënë se RTK-ja po përballet me “rrezik real për paralizim funksional”, duke vlerësuar se mungesa e mjeteve financiare nuk rrezikon vetëm funksionimin e institucionit, por edhe rolin e tij si mekanizëm esencial i informimit publik në Kosovë.
Sipas SPERTK-së, është shqetësuese që një institucion me rëndësi publike dhe kushtetuese të vihet në situatë ku, siç thuhet, vihet në pikëpyetje funksionimi bazik, siguria e qindra punonjësve dhe vazhdimësia e misionit publik ndaj qytetarëve.
Sindikata theksoi se nuk e konteston zbatimin e ligjit dhe procedurat gjyqësore, por kërkoi sqarime nëse gjatë procesit janë respektuar parimet e proporcionalitetit dhe interesit publik, duke pasur parasysh pasojat ndaj transmetuesit publik.
Ajo i bëri thirrje Gjykatës Supreme dhe institucioneve kompetente që urgjentisht ta trajtojnë rastin dhe të vlerësojnë nëse procedurat e ndjekura kanë qenë në përputhje me mbrojtjen që duhet ta kenë institucionet me rëndësi të veçantë për shtetin.
SPERTK ngriti edhe pyetjen se si është lejuar që RTK-ja të shkojë në prag të bllokimit financiar pa mekanizma mbrojtës nga institucionet përgjegjëse.
Në fund, Sindikata paralajmëroi se pasojat e situatës mund të jenë të rënda jo vetëm për punëtorët e RTK-së, por edhe për funksionimin e transmetuesit publik të Kosovës.











