Një raport i ri ndërkombëtar ka ngritur alarmin për një krizë të ardhshme në trajtimin e kancerit, duke paralajmëruar se deri në vitin 2050 bota do të përballet me mungesën e afro 100 milionë profesionistëve të angazhuar në kujdesin ndaj pacientëve me kancer.
Studimi, i publikuar nga Komisioni i Onkologjisë i revistës shkencore The Lancet dhe i prezantuar në takimin vjetor të Shoqatës Amerikane të Onkologjisë Klinike (ASCO) 2026, vlerëson se rritja e rasteve me kancer po tejkalon ndjeshëm kapacitetet e sistemeve shëndetësore dhe personelit mjekësor në mbarë botën.
Sipas raportit, mungesat më të mëdha do të regjistrohen te infermierët dhe specialistët diagnostikues, veçanërisht radiologët dhe patologët. Deri në vitin 2050 do të nevojiten mbi 65 milionë infermierë shtesë dhe rreth 16 milionë specialistë të diagnostikimit për të përballuar nevojat në rritje.
Ekspertët paralajmërojnë se rajonet më të prekura do të jenë Afrika dhe Azia, ku parashikohen mungesa prej 34.3 milionë dhe 57.3 milionë punonjësish, respektivisht. Megjithatë, as vendet me të ardhura të larta nuk do t’i shpëtojnë krizës, pasi përballen me lodhjen profesionale, depresionin e stafit dhe kufizimet buxhetore.
Raporti thekson se mungesa e personelit nuk do të ndikojë vetëm në trajtimin e pacientëve aktualë, por edhe në zhvillimin e kërkimeve shkencore dhe përparimin e luftës kundër kancerit.
Ndërkohë, numri i rasteve me kancer pritet të rritet ndjeshëm në dekadat e ardhshme. Studiuesit parashikojnë se deri në vitin 2050 do të diagnostikohen rreth 35.3 milionë raste të reja me kancer çdo vit, krahasuar me rreth 20 milionë raste të regjistruara në vitin 2022.
Po ashtu, vlerësohet se kanceri do të shkaktojë rreth 18.5 milionë vdekje në vit në mbarë botën.
Autorët e studimit bëjnë thirrje për veprime urgjente, investime në edukimin dhe trajnimin e profesionistëve shëndetësorë, si dhe përdorimin më të gjerë të teknologjive digjitale dhe inteligjencës artificiale për të përballuar kërkesat në rritje.
Sipas tyre, rreth 70 për qind e rasteve të reja me kancer do të regjistrohen në vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme, pikërisht në rajonet ku mungesa e personelit shëndetësor pritet të jetë më e theksua




















