Këshilli Studentor i Fakultetit të Filologjisë ka bërë thirrje për pjesëmarrje në një protestë paqësore në Prishtinë në mbrojtje të përdorimit të gjuhës shqipe në provimet shtetërore në Maqedoninë e Veriut.
Përmes një njoftimi publik, studentët e Kosovës kanë ftuar studentë, profesorë, organizata studentore, përfaqësues të shoqërisë civile dhe qytetarë që t’i bashkohen protestës, e cila do të mbahet më 5 qershor, në orën 14:00, para Ambasadës së Maqedonisë së Veriut në Prishtinë.
Protesta organizohet për të kundërshtuar cenimin e së drejtës për përdorimin e gjuhës shqipe në provimin e jurisprudencës dhe në provime të tjera shtetërore në Maqedoninë e Veriut.
Njoftimi i plotë:
THIRRJE PËR PROTESTË
Studentët e Kosovës në mbrojtje të gjuhës shqipe
Të nderuar studentë, qytetarë, profesorë dhe të gjithë ata që besojnë në drejtësi,
Ne, studentët e Kosovës, ju ftojmë t’i bashkoheni protestës paqësore para Ambasadës së Maqedonisë së Veriut në Kosovë, për të ngritur zërin kundër cenimit të së drejtës së përdorimit të gjuhës shqipe në provimin e jurisprudencës dhe në të gjitha provimet e tjera shtetërore në Maqedoninë e Veriut.
Gjuha shqipe nuk është privilegj. Ajo është e drejtë e qindra mijëra shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut.
Ne besojmë se arsimi, profesioni dhe e ardhmja e të rinjve nuk duhet të pengohen nga barriera gjuhësore të vendosura padrejtësisht. Prandaj, ftojmë të gjithë studentët, organizatat studentore, shoqërinë civile dhe qytetarët që të bashkohen me ne.
5 Qershor,
Para Ambasadës së Maqedonisë së Veriut në Kosovë,
Ora: 14:00




















