Numri i ndërmarrjeve të reja të regjistruara në Kosovë ka shënuar rënie gjatë muajit maj 2026, si në krahasim me muajin paraprak ashtu edhe me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), në maj 2026 janë regjistruar 1.108 ndërmarrje, që paraqet një rënie prej 1,4 për qind krahasuar me prillin 2026. Ndërkohë, në krahasim me majin e vitit 2025, numri i bizneseve të reja është ulur për 16,9 për qind.

Sa i përket aktiviteteve ekonomike, sektori më i preferuar për regjistrimin e bizneseve të reja mbetet tregtia me shumicë dhe pakicë, si edhe riparimi i mjeteve motorike dhe motoçikletave, me 278 ndërmarrje ose 25,1 për qind të totalit.

Pas këtij sektori renditen: Akomodimi dhe aktivitetet e shërbimit me ushqim me 126 ndërmarrje (11,4%);

Ndërtimtaria me 119 ndërmarrje (10,7%);

Prodhimi me 105 ndërmarrje (9,5%).

Pothuajse të gjitha bizneset e regjistruara gjatë muajit maj i përkasin kategorisë së mikrondërmarrjeve. Nga gjithsej 1.108 ndërmarrje të regjistruara, 1.101 janë mikrondërmarrje me deri në nëntë të punësuar, ndërsa vetëm shtatë janë ndërmarrje të vogla me 10 deri në 49 të punësuar. Gjatë këtij muaji nuk është regjistruar asnjë ndërmarrje e mesme apo e madhe.

Për nga shpërndarja gjeografike, rajoni i Prishtinës vazhdon të kryesojë me 523 ndërmarrje të regjistruara, duke u pasuar nga rajoni i Prizrenit me 130, Ferizaj me 110, Mitrovica me 100, Gjilani me 86, Gjakova me 83 dhe Peja me 76 ndërmarrje të reja.

Rënia e numrit të bizneseve të reja tregon një ngadalësim të aktivitetit të regjistrimit të ndërmarrjeve gjatë muajit maj, megjithëse sektori i tregtisë vazhdon të mbetet zgjedhja kryesore për sipërmarrësit në Kosovë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Related Posts