Deputetja e rizgjedhur, Time Kadrijaj, ka deklaruar se zbatimi i ligjit nuk mund të jetë çështje interpretimi politik, duke kërkuar respektimin e dispozitave të ligjit për qeverinë nga të gjithë anëtarët e ekzekutivit që janë zgjedhur deputetë, e që janë pjesë e kabinetit qeveritar.

Përmes një reagimi publik, Kadrijaj ka theksuar se neni 26 i ligjit për qeverinë përcakton qartë se çdo anëtar i qeverisë në detyrë, i cili zgjidhet deputet i Kuvendit të Kosovës, duhet të japë dorëheqje nga posti qeveritar para ditës së certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve.

Sipas saj, kjo dispozitë nuk parasheh përjashtime dhe zbatohet edhe për kryeministrin, pasi ai është pjesë e weverisë dhe i nënshtrohet të njëjtave detyrime ligjore si ministrat.

“Në një shtet demokratik, ligjet nuk mund të zbatohen sipas interesit politik apo sipas personit që ushtron funksionin. Parimi i barazisë para ligjit kërkon që çdo zyrtar publik, pa dallim, të respektojë detyrimet që i imponon ligji”, ka deklaruar Kadrijaj.

Ky është postimi i plotë i saj:

Ligji nuk është çështje interpretimi politik ai është detyrim.

Neni 26 i ligjit për qeverinë nuk lë asnjë hapësirë për dilemë. Ai përcakton qartë se çdo anëtar i qeverisë në detyrë, i cili zgjidhet deputet i Kuvendit të Republikës së Kosovës, duhet të japë dorëheqje nga posti i anëtarit të qeverisë para ditës së certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve.

Kjo dispozitë nuk bën përjashtime. Kryeministri është anëtar i qeverisë dhe, si i tillë, i nënshtrohet të njëjtit detyrim ligjor si çdo ministër.

Në një shtet demokratik, ligjet nuk mund të zbatohen sipas interesit politik apo sipas personit që ushtron funksionin. Parimi i barazisë para ligjit kërkon që çdo zyrtar publik, pa dallim, të respektojë detyrimet që i imponon ligji.

Nëse kërkojmë sundim të ligjit, ai duhet të fillojë nga institucionet më të larta të shtetit. Çdo shmangie nga zbatimi i nenit 26 krijon një precedent të rrezikshëm, që cenon sigurinë juridike, besimin e qytetarëve në institucionet publike dhe vetë parimin se askush nuk është mbi ligjin.

Ligji duhet të respektohet. Jo të interpretohet sipas nevojës politike të ditës.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Related Posts