Kjo ministri potencon se rajonet e Prishtinë dhe Pejë regjistrojnë numrin më të madh të vizitorëve të huaj.
“Sipas të dhënave të Agjencia e Statistikave të Kosovës, rajonet e Prishtinë dhe Pejë regjistrojnë numrin më të madh të vizitorëve dhe net-qëndrimeve turistike, ndërsa Prizren mbetet destinacioni më i njohur për turizmin kulturor”, thuhet në përgjigje.
Udhërrëfyesi turistik, Muhamer Hasani tha se turistëve i’ pëlqen pothuajse gjithçka në Kosovë edhe pse shton se fillimisht kanë një lloj paragjykimi për shkak të keqinformimit.
Sipas tij, turistët brenda pak kohësh e shohin një realitet tjetër dhe kuptojnë se janë keqinformuar për Kosovën nga vendet fqinje që i kanë vizituar më parë.
“Një prej pyetjeve të para e cila bëhet është siguria, pastaj është çështja e raporteve të Kosovës me vendet e tjera fqinje. Mirëpo, në këtë rast brenda disa minutave, mos të thonë sekonda se ndoshta e ekzagjeroj shihet se nuk ka të bëjë asgjë me atë se çfarë kanë dëgjuar ose se çfarë iu është rekomanduar atyre. Sepse fatkeqësisht nganjëherë, kur musafirët vijnë në Kosovë, nëse veç i kanë vizituar disa prej vendeve fqinje, zakonisht tek ato vendet fqinje kanë me keqinformu për sigurinë në Kosovë. Tash është edhe shumë e thjeshtë për me e bë njëfarë demantimi të tillë, sepse në vitin 2000 domethënë në vitet e kaluara prej organizatave kredibile ndërkombëtare, Kosova është ranguar si njëra prej vendeve më të sigurta me u vizitu”, shtoi guida turistike.
Ai theksoi se gati të gjitha nacionalitetet vijnë për të vizituar Kosovën, duke konsideruar si më të veçantë faktin se po shtohen turistët nga Greqia dhe Rumania, që deri vonë ishin në numër më të pakët.
Ndërsa kryetari i Unionit të Turizmit të Kosovës, Baki Hoti tha se rritja e turistëve në Kosovë është mjaft pozitive.
Siç tha ai, një turist në Kosovë brenda 24 orëve shpenzon rreth 150 euro e sipas tij, industria e turizmit është ajo që ndikon në ekonominë e vendit.
Në vazhdimësi potencohet që Kosova ka potencial për turizmin, derisa i bëhet thirrje Qeverisë për më shumë investime.
Përndryshe, sipas ministrisë, turistët nga Shqipëria vijnë për shkak të afërsisë gjeografike, lidhjeve familjare dhe kulturore, derisa nga Gjermania një pjesë e madhe janë diaspora dhe vizitorë për biznes.
Edhe nga Zvicra janë kryesisht diasporë kosovare dhe vizitorë të lidhur me familjet. Kurse, vizitorët nga Turqia vijnë për turizëm kulturor, biznes dhe lidhje historike.