UEFA ka miratuar një sistem të ri për kualifikimet e Euro 2028, duke vendosur që edhe vendet organizatore të marrin pjesë në eliminatore dhe të mos kenë më një biletë automatike për fazën finale.
Vendimi ka nxitur debat, sidomos pasi krahasohet me vendimin e FIFA për t’i garantuar Argjentinës, Paraguait dhe Uruguait, nga një vend në Kupën e Botës 2030.
Anglia duhet të kualifikohet, ndryshe nga Argjentina
Edhe pse Anglia është një nga katër organizatorët e Euro 2028, së bashku me Skocinë, Uellsin dhe Republikën e Irlandës, ajo nuk e ka të garantuar pjesëmarrjen në turne.
Ndërkohë, Argjentina ka siguruar tashmë një vend në Kupën e Botës 2030, pasi do të organizojë një nga ndeshjet festive të turneut, në kuadër të 100-vjetorit të Kampionatit Botëror.
Sipas raportimeve të The Sun, ky vendim i FIFA-s ka shkaktuar polemika, ndërsa shumë tifozë kanë kritikuar faktin që Argjentina përfiton nga kualifikimi automatik.
Si do të zhvillohen kualifikimet për Euro 2028?
Sipas formatit të ri të UEFA-s, të 55 përfaqësueset evropiane, përfshirë edhe katër vendet organizatore, do të marrin pjesë në kualifikime.
Skuadrat do të ndahen në 12 grupe, me nga katër ose pesë ekipe secili. Fituesit e çdo grupi dhe tetë kombëtaret më të mira të vendit të dytë do të sigurojnë direkt kualifikimin, duke plotësuar 20 nga 24 vendet e fazës finale.
I vetmi privilegj për organizatorët është se ata nuk mund të shortohen në të njëjtin grup eliminator.
UEFA rezervon dy vende për organizatorët
Megjithatë, UEFA ka parashikuar edhe një mekanizëm sigurie. Dy nga katër vendet e mbetura në Euro 2028 do të rezervohen për organizatorët që nuk arrijnë të sigurojnë kualifikimin përmes eliminatoreve.
Në praktikë, nëse një ose më shumë prej vendeve organizatore kualifikohen normalisht, dy vendet rezervë mund të përdoren për organizatorët që kanë dështuar në kualifikuese.
Nëse tre ose katër organizatorë mbeten jashtë përmes rrugës së zakonshme, dy vendet rezervë do t’u jepen dy ekipeve organizatore me renditjen më të mirë.





















